Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku kanë diskutuar për kriteret që duhet të plotësojë presidenti i ri i Kosovës. Të dy liderët thanë se ka vullnet për marrëveshje, ndërsa u pajtuan që kreu i shtetit duhet të jetë figurë e respektuar, meritore dhe që garanton unitetin e stabilitetin institucional.
“Duam president ose presidente meritore, kushtetuese, që reflekton vlerat e shoqërisë tonë, që ka kontribut për popullin e në profesion të caktuar, dhe në këtë mënyrë nuk ngjall dilema për rolin, për funksionin dhe për detyrën fisnike që do t’i duhet ta kryejë në pesë vjetët e ardhshme”, tha Kurti.
Abdixhiku theksoi se LDK nuk kërkon asgjë në këmbim, por vetëm një president dinjitoz dhe stabilitet institucional. “Nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë e cila është e respektuar dhe ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla” , tha Abdixhiku.
Tahiraj: Fillimin e këtyre bisedimeve e përshëndes dhe uroj që kësaj radhe të sjellin një marrëveshje konkrete dhe të mundësojnë formimin e institucioneve të shtetit Analisti Saim Tahiraj në një përgjigje për “Bota sot”, shprehet skeptik për një marrëveshje mes palëve, duke paralajmëruar se bisedimet mund të jenë pjesë e lojërave politike për dobësimin e LDK-së, ndonëse thekson se formimi i institucioneve është domosdoshmëri për Kosovën.
“Fillimin e këtyre bisedimeve e përshëndes dhe uroj që kësaj radhe të sjellin një marrëveshje konkrete dhe të mundësojnë formimin e institucioneve të shtetit. Kosova nuk mund të vazhdojë pafundësisht me institucione të bllokuara. Formimi i tyre është domosdoshmëri për funksionimin normal të shtetit, për stabilitetin politik dhe për përballimin e sfidave të shumta që kemi përpara.
Megjithatë, pavarësisht domosdoshmërisë dhe obligimit që të gjithë liderët politikë kanë ndaj shtetit, jam skeptik se do të arrihet një marrëveshje. Druaj se këto bisedime mund të jenë më tepër pjesë e lojërave politike për ta komprometuar dhe dobësuar edhe më tej LDK-në, sesa një përpjekje e sinqertë për të arritur një marrëveshje aq të nevojshme për Kosovën” , u shpreh ai.
Saim Tahiraj Tahiraj vlerëson se Kosova është më afër zgjedhjeve të reja sesa një marrëveshjeje politike, duke kritikuar kalkulimet partiake dhe bërë thirrje që interesi i shtetit të vendoset mbi atë partiak e personal. “Nëse interesi i shtetit do të ishte vërtet mbi interesat partiake dhe personale, atëherë rruga drejt një marrëveshjeje do të ishte shumë më e lehtë.
Për fat të keq, deri tani kemi parë më shumë kalkulime politike sesa përgjegjësi shtetërore. Prandaj, mendoj se sot jemi më afër rrugëtimit drejt zgjedhjeve të reja, të cilat do të ishin një dëm i madh për shtetin, sesa drejt një marrëveshjeje politike që do ta shpëtonte Kosovën nga dëmet e mëdha që po i sjell kjo krizë institucionale.
Është koha që liderët politikë ta kuptojnë se shteti duhet të jetë mbi partinë, mbi pushtetin dhe mbi interesin personal. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për kalkulime të reja politike”, deklaron ai për “Bota sot”.
Jakupi: Nga ky takim do të pritej mbi të gjitha konkretizim, jo vetëm shkëmbim qëndrimesh Kurse, analisti politik, Zejnullah Jakupi vlerëson se takimi mes Albin Kurtit dhe LDK-së mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të krizës institucionale, por jo domosdoshmërisht vendimtar.
Sipas tij, palët duhet të fokusohen në gjetjen e një formule konkrete për funksionalizimin e institucioneve, veçanërisht për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Jakupi paralajmëron se zvarritja e krizës mund ta thellojë atë në krizë kushtetuese e ligjore, duke dëmtuar shtetin, ekonominë dhe besimin e qytetarëve.
“Takimi i paralajmëruar mes Albin Kurtit dhe LDK-së mund të jetë një moment i rëndësishëm, por jo domosdoshmërisht vendimtar. Në këtë fazë, rëndësia e tij qëndron mbi të gjitha në faktin se palët po rikthehen te dialogu direkt, në një kohë kur kriza institucionale po thellohet dhe mosbesimi politik është shumë i madh.
Vetë fakti që LDK-ja ka shprehur gatishmëri të flasë me Kurtin, ndërsa ka refuzuar takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, tregon se mundësia për komunikim politik ende ekziston. Nga ky takim do të pritej mbi të gjitha konkretizim, jo vetëm shkëmbim qëndrimesh.
Çështja kryesore është gjetja e një formule për funksionalizimin e institucioneve dhe, në veçanti, krijimi i një dakordimi rreth zgjedhjes së presidentit. Në këtë moment, partitë politike duhet ta vendosin interesin institucional mbi kalkulimin afatshkurtër partiak.
Kjo nuk do të thotë që partitë duhet të heqin dorë nga interesat dhe programet e tyre, por se duhet ta kuptojnë se bllokada institucionale nuk dëmton vetëm një subjekt politik – ajo dëmton funksionimin e shtetit, ekonominë, raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe besimin e qytetarëve.
Madje, zvarritja e krizës mund ta çojë vendin nga një krizë politike në një krizë kushtetuese e ligjore” – tha ai. Zejnullah Jakupi Jakupi thekson se marrëveshja mes Kurtit dhe LDK-së duhet të jetë e qartë, transparente dhe me garanci për të gjitha palët, e jo vetëm një përpjekje për të shmangur zgjedhjet e reja.
Ai vlerëson se takimi mund të jetë pikënisje për zgjidhje, nëse palët tregojnë vullnet për kompromis dhe ofrojnë propozime konkrete. Në të kundërtën, sipas tij, Kosova rrezikon të mbetet në krizë politike dhe të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. “Megjithatë, një marrëveshje nuk mund të ndërtohet vetëm mbi presionin për të shmangur zgjedhjet e reja.
Ajo duhet të jetë një marrëveshje e qartë, transparente dhe me garanci për të gjitha palët. LDK-ja, në fakt, tashmë ka bërë një lëvizje duke hequr dorë nga kërkesa që vetë ajo të përcaktojë emrin e presidentit, pikërisht me arsyetimin se vendi duhet të dalë nga kriza.
Prandaj, takimi Kurti–LDK mund të jetë një pikënisje reale për zgjidhje, nëse të dyja palët hyjnë në të me vullnet për kompromis dhe me propozime konkrete. Por nëse takimi shndërrohet vetëm në një përpjekje për t’ia kaluar përgjegjësinë njëra-tjetrës, atëherë rreziku është që Kosova të vazhdojë në të njëjtin cikël të përplasjes politike. Në fund, përgjegjësia është e të gjitha partive.
Qytetarët nuk kanë nevojë për një tjetër raund akuzash, por për institucione funksionale. Nëse ekziston një minimum vullneti politik, kjo krizë ende mund të tejkalohet përmes dialogut dhe kompromisit.
Nëse ai vullnet mungon, atëherë vendi rrezikon të shkojë drejt një përplasjeje të re politike dhe, potencialisht, drejt zgjedhjeve të reja – një skenar që do ta shtynte edhe më tej zgjidhjen e problemit” , potencoi ai.
