Kush është Amir Barati dhe pse e kërkon SHBA-ja? Nga “mbreti i vogël”

0%

Rasti i shtetasit iranian Amir Barati, i cili u arrestua në Kotor në qershor, ende nuk ka mbërritur në duart e Ministrinë e Drejtësisë të Malit të Zi, e cila do të marrë vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradimin e tij. Autoritetet amerikane i atribuojnë Baratit një rol në një operacion shumëvjeçar të hakimit të lidhur me Iranin.

Radio Evropa e Lirë mëson se rasti ndodhet te gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës së Lartë në Podgoricë, pas së cilës kolegji gjyqësor duhet të përcaktojë nëse janë përmbushur kushtet për ekstradim, përkatësisht nëse çështja do t’i përcillet Ministrisë së Drejtësisë të Malit të Zi.

Ndërkohë, një aktakuzë e re amerikane zbulon hollësi të panjohura më parë për një grup prej 17 iranianësh, të cilët dyshohet se kanë kryer sulme masive kibernetike në dobi të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Nëse ekstradohet në SHBA, Barati mund të bëhet i pari nga 17 iranianët e akuzuar që do të përballej me drejtësinë amerikane.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Bojan Bozhoviq, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se kolegji i Gjykatës së Lartë “me gjasë duhet ta shqyrtojë këtë rast gjatë këtyre ditëve”. “Nëse ata konstatojnë se janë përmbushur kushtet dhe nëse nuk ka ankesë, atëherë lënda do të më përcillet mua, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë.

Natyrisht, ne do ta marrim vendimin pasi ta vlerësojmë rastin”, tha Bozhoviq. Ai shtoi se “interesi i SHBA-së ekziston dhe nuk ka asnjë dyshim se ata presin që ai të ekstradohet”. “Por, para kësaj duhet ta shoh vendimin e gjykatës, pra derisa gjykata të vendosë dhe të konstatojë se janë përmbushur kushtet paraprake”.

Barati, sipas informacioneve të REL-it, mbërriti në Mal të Zi nga Turqia, shtetësinë e së cilës gjithashtu e ka, në qershor të vitit 2026. Pak pas mbërritjes, më 25 qershor, ai u arrestua në Kotor në një operacion të Policisë së Malit të Zi në bashkëpunim me Byronë Federale amerikane të Hetimit (FBI).

Policia e Malit të Zi tha atëbotë se kishte arrestuar një 39-vjeçar të kërkuar nga SHBA-ja për sulme të organizuara të hakimit, mashtrim kompjuterik dhe vjedhje identiteti, si dhe se ai lidhej me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. Avokatja e Baratit, Millena Knezheviq, nuk ka mundur të japë më shumë hollësi për procesin e ekstradimit, e as për arsyet e ardhjes së tij në Mal të Zi.

SHBA-ja ia dërgoi zyrtarisht Malit të Zi kërkesën për ekstradimin e Baratit më 7 gusht. Policia në Mal të Zi duke e shoqëruar Amir Baratin, pas arrestimit të tij. Podgoricë, . Cili ishte roli i Amir Baratit në grupin e hakerëve? I gjithë operacioni i sulmeve kibernetike, sipas aktakuzës amerikane, nisi rreth vitit 2013 me themelimin në Iran të kompanisë Mabna Institute.

Prokurorët pretendojnë se organizata drejtohej nga Gholamreza Rafatnejad dhe Ehsan Mohammadi dhe se ajo kishte ngritur një rrjet hakerësh dhe bashkëpunëtorësh, të cilët zhvillonin fushata të vjedhjes së të dhënave dhe të ndërhyrjeve të paautorizuara në sisteme kompjuterike për nevojat e institucioneve iraniane.

Sipas aktakuzës, Mabna Institute zhvilloi, të paktën nga viti 2013, një fushatë të koordinuar sulmesh kibernetike që kishte për shënjestër universitete, kompani dhe institucione shtetërore.

Në mesin e objektivave të fushatës, sipas autoriteteve amerikane, ishin edhe Departamenti amerikan i Punës, Komisioni Federal për Rregullimin e Energjisë (FERC), shtetet e Havait dhe Indianës, Departamenti i Arsimit i Indianës, Kombet e Bashkuara dhe UNICEF-i.

Aktakuza thotë se anëtarët e rrjetit, përmes vjedhjes së kredencialeve të punonjësve, tentuan të siguronin qasje në informacione konfidenciale të institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare. Sipas aktakuzës, hakerët shënjestruan edhe 144 universitete në Shtetet e Bashkuara, 178 universitete në shtete të tjera, të paktën 42 kompani amerikane dhe 11 kompani të huaja.

Prokurorët amerikanë pretendojnë se gjatë operacionit u vodhën më shumë se 31 terabajt të dhëna akademike dhe pronë intelektuale, ndërsa llogaritë e komprometuara të universiteteve dhe informacionet e mbledhura u përdorën në dobi të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe institucioneve të tjera iraniane.

Metoda kryesore e grupit ishin email-et e llojit spear-phishing, të dërguara te profesorë dhe studiues, në të cilat sulmuesit paraqiteshin si sisteme bibliotekash ose ofrues të burimeve akademike. Viktimat drejtoheshin më pas te faqe të rreme që të kyçeshin, të cilat mblidhnin kredencialet e tyre universitare.

Këto të dhëna më pas përdoreshin për qasje në bazat e të dhënave të bibliotekave, portalet kërkimore dhe llogaritë e email-it. Operacioni ishte sistematik dhe në shkallë të gjerë, ndërsa grupi mbante lista të përditësuara të profesorëve të synuar në qindra institucione, thuhet në aktakuzë.

Aktivitetet më pas u zgjeruan edhe ndaj kompanive private, agjencive shtetërore dhe organizatave ndërkombëtare. Sipas aktakuzës amerikane, dëmi i shkaktuar universiteteve vlerësohet në të paktën 3.4 miliardë dollarë. Amir Barati nuk përshkruhet si një nga organizatorët e rrjetit, por si haker dhe bashkëpunëtor i Mabna Institute.

Emri i tij nuk ishte në mesin e nëntë personave të akuzuar në rastin fillestar të vitit 2018, por u shtua në aktakuzën e zgjeruar ndaj gjithsej 17 personave, e cila u bë publike në vitin 2026.

Në aktakuzë thuhet se Barati mori pjesë në përcjelljen e fushatave spear-phishing, në shkëmbimin e llogarive të komprometuara të përdoruesve, në hartimin e listave të objektivave të mundshëm, në vëzhgimin e rrjeteve kompjuterike dhe në krijimin e mesazheve të mashtrimit elektronik.

Prokuroria pretendon se njëri nga të akuzuarit, Arman Kahzadian, në qershor të vitit 2015 i kishte dërguar Baratit të dhënat e qasjes për llogari universitare të komprometuara, ndërsa një muaj më vonë edhe të dhënat për llogaritë e viktimave nga sektori privat.

Barati akuzohet për komplot për kryerjen e ndërhyrjeve kompjuterike, mashtrim elektronik, qasje të paautorizuar në kompjuterë për përfitim financiar dhe vjedhje të rëndë të identitetit. Ndryshe nga disa prej të akuzuarve të tjerë, ai nuk përmendet në pjesën e aktakuzës që lidhet me sulmet e mëvonshme, përfshirë sulmin kibernetik ndaj kompanisë amerikane mediatike HBO.

Për shkak të rolit të pretenduar në operacionet e hakimit, Departamenti amerikan i Thesarit e kishte futur qysh në vitin 2018 Mabna Institute dhe disa persona të lidhur me këtë rrjet në listën e subjekteve të sanksionuara. Kush është Amir Barati? Për Amir Baratin dihet pak nga aktakuza amerikane, ku ai përshkruhet si haker iranian dhe bashkëpunëtor i Mabna Institute.

Megjithatë, një hulumtim i medias Iran International thotë se ai është një prej emrave më të njohur të skenës iraniane të hakerëve dhe se, qysh në mesin e viteve 2000, dyshohet se kishte themeluar grupin e hakerëve Iran Black Hats Team, e më pas edhe Digital Boys Underground Team së bashku me Arman Kahzadianin, i cili gjithashtu është në mesin e të akuzuarve në rastin Mabna.

Sipas të njëjtit burim, Barati ka lindur më 1986 në Mashhad, në verilindje të Iranit, ndërsa në qarqet e hakerëve përdorte nofkën “Kinglet” apo “mbreti i vogël”.

Të dhënat e disponueshme nga baza e të dhënave gjyqësore iraniane tregojnë se ndaj Baratit ishte zhvilluar një procedurë më 2010, nën dyshimin për hakim të faqeve shtetërore në internet dhe të faqes së presidentit të atëhershëm iranian, si dhe nën akuzat për propagandë kundër Republikës Islamike të Iranit. Rasti më pas u mbyll.

Iran International shkruan se Barati, pas arrestimit, nisi të bashkëpunonte me strukturat iraniane të inteligjencës, duke iu referuar burimeve anonime, pretendimet e të cilave nuk ka mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Iran International gjithashtu thotë se Barati u largua nga Irani më 2021 dhe u zhvendos në Turqi, ku, sipas hulumtimit të këtij mediumi, mori shtetësinë turke.

Këtë e ka konfirmuar edhe avokatja e tij në Mal të Zi. Shpërblim për informacione për pesë të akuzuar Në të njëjtën ditë kur u bë publike aktakuza, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, ofroi shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që do të çonin në lokalizimin e pesë prej të akuzuarve në rastin Mabna.

Njoftimi për shpërblimin monetar në këmbim të informacioneve për hakerët iranianë. Shpërblimi është ofruar për Behzad Mesri, Mojtaba Galekuhi, Arman Kahzadian, Keyvan Fayaz dhe Saber Shahbazi Ballojeh.

Departamenti amerikan i Drejtësisë thotë se programi kërkon informacione për persona të cilët, duke vepruar me urdhër ose nën kontrollin e një qeverie të huaj, marrin pjesë në aktivitete të caktuara keqdashëse kibernetike që shkelin ligjin amerikan.

Burimi: Bota Sot