Pablo Escobar hyri në politikën kolumbiane në fillim të viteve ’80, duke u përpjekur të ndërtonte një imazh si politikan i afërt me shtresat e varfra dhe si një figurë që kërkonte të fitonte ndikim përmes politikës. Në fjalimet e tij publike, Escobari fliste edhe kundër drogës dhe përpiqej të paraqitej si një politikan i interesuar për të ardhmen e vendit.
Në vitin 1982, ai arriti të bëhej deputet zëvendësues në Kongresin e Kolumbisë. Por pas këtij imazhi fshihej një realitet krejt tjetër. Në të njëjtën kohë që përpiqej të krijonte një profil politik, Escobari po zgjeronte aktivitetin e tij në trafikun e kokainës.
Përmes rrjetit kriminal që po ndërtonte, ai synonte të kontrollonte gjithnjë e më shumë nga prodhimi, transporti dhe shpërndarja e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara. Karriera e tij politike mori fund pasi lidhjet me botën e krimit dhe trafikun e drogës u bënë publike. Por larg politikës, fuqia e Escobarit vetëm sa rritej.
Ai u shndërrua në kreun e Kartelit të Medellínit, një prej organizatave më të fuqishme të trafikut të drogës në botë. Pasuria e tij u rrit në mënyrë marramendëse, ndërsa rrjeti kriminal shtrihej përtej kufijve të Kolumbisë.
Escobari përdori paratë e drogës për të ndërtuar ndikim, për të blerë besnikëri dhe për të krijuar një imazh publik që shpesh e paraqiste si “bamirës” në lagjet e varfra. Por pas këtij imazhi qëndronte një perandori kriminale e lidhur me dhunë, korrupsion, atentate dhe trafik ndërkombëtar droge. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
