Dinamo dhe Viking barazuan me rezultat 2:2 në Maksimir, në ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Kampionëve. Kampioni kroat e nisi në mënyrë fantastike një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit dhe, me golat e Dion Drena Beljos dhe Mateo Lisicës, kaloi në epërsi 2:0 pas vetëm 10 minutash lojë.
Megjithatë, kampioni norvegjez arriti të rikthehej në ndeshje dhe ta barazonte rezultatin. Golashënuesit për skuadrën mysafire ishin Peter Christiansen dhe Zlatko Tripiq. Ndeshja e kthimit do të luhet të mërkurën e ardhshme në Stavanger, ndërsa atë që ndodhi në Maksimir e komentoi Dion Drena Beljo. “E nisëm shumë mirë ndeshjen, por ata e morën iniciativën dhe i ndëshkuan gabimet tona.
E dinim se në Evropë gabime të tilla do të ndëshkohen. Kishim iniciativën dhe mendoj se ishim më të mirë në fushë. Fitorja ishte shumë pranë nesh, por në Evropë të ndëshkojnë kur nuk i shfrytëzon rastet. Kjo na ndodhi kundër Vikingut, por edhe në të kaluarën. Kemi mësuar nga kjo. Tani shkojmë në ndeshjen e kthimit për të treguar se e meritojmë Ligën e Kampionëve”.
