Kur protesta bëhet zëri i shoqërisë

0%

Protesta nuk është sëmundje e demokracisë. Në një shoqëri të lirë, protesta është një nga format më të lashta dhe më të fuqishme përmes së cilës qytetari i thotë pushtetit: ne ekzistojmë, kemi një zë dhe nuk pranojmë të trajtohemi si spektatorë të historisë sonë. Një pushtet që e sheh çdo protestë si kërcënim, në të vërtetë dëshmon frikën e vet nga qytetari.

Sepse protesta nuk lind në rrugë; ajo lind shumë më herët, në ndërgjegjen e njerëzve. Ajo fillon si pakënaqësi, shndërrohet në pyetje, pastaj në revoltë dhe, kur institucionet nuk dëgjojnë, del në shesh. Prandaj pyetja themelore nuk është pse protestojnë njerëzit. Pyetja është: çfarë i ka bërë ata të ndiejnë se nuk kanë më ku të dëgjohen?

Kur parlamenti nuk artikulon shqetësimin e shoqërisë, kur institucionet humbin besimin, kur drejtësia perceptohet si e largët, kur vendimmarrja bëhet pronë e një rrethi të ngushtë dhe kur qytetari përballet çdo ditë me padrejtësi, arrogancë apo pabarazi, rruga bëhet vendi ku shoqëria kërkon të rikthejë zërin e saj. Protesta është, në këtë kuptim, termometri i demokracisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo nuk e krijon temperaturën; vetëm e mat atë. Një shoqëri e shëndetshme nuk duhet të ketë frikë nga protesta. Përkundrazi, duhet ta dëgjojë atë. Sepse protesta paqësore është një mekanizëm korrigjues i pushtetit. Ajo i kujton qeverisjes se mandati elektoral nuk është licencë për të bërë gjithçka, se shumica nuk është pronare e shtetit dhe se pushteti nuk është pronë personale.

Demokracia nuk është vetëm dita e zgjedhjeve. Demokracia është edhe dita pas zgjedhjeve. Është e drejta për të pyetur, për të kundërshtuar, për të kritikuar, për të kërkuar llogari dhe për të dalë në shesh kur institucionet nuk përgjigjen. Por edhe protesta vetë ka një përgjegjësi të madhe. Ajo duhet të ruajë karakterin e saj qytetar.

Duhet të jetë më e fortë se zemërimi i çastit dhe më e mençur se provokimi. Sepse qëllimi i protestës demokratike nuk është të prodhojë kaos, por të prodhojë vetëdije. Nuk është të zëvendësojë një arrogancë me një tjetër, por të kërkojë një rend ku pushteti i nënshtrohet ligjit dhe qytetari respektohet nga institucionet.

Në historinë e shoqërive, shumë ndryshime të mëdha kanë nisur pikërisht nga një grup njerëzish që refuzuan të heshtnin. Ndonjëherë ata kanë qenë pakicë. Por historia nuk matet gjithmonë me numrin e atyre që flasin; matet me forcën morale të asaj që thuhet. Prandaj një protestë nuk duhet gjykuar vetëm nga numri i njerëzve në shesh. Duhet pyetur: çfarë po shpreh ajo?

Çfarë padrejtësie po artikulon? Çfarë kërkon të ndryshojë? Çfarë heshtjeje po thyen? Nëse pushteti i përgjigjet protestës vetëm me përbuzje, propaganda apo etiketim, atëherë ai nuk e ka kuptuar thelbin e demokracisë. Sepse qytetari që proteston nuk është armik i shtetit. Ai është një nga pronarët e tij moralë. Shteti demokratik nuk duhet të ketë frikë nga njerëzit në shesh.

Duhet të ketë frikë nga dita kur njerëzit nuk kanë më as forcë, as besim, as dëshirë për të protestuar. Sepse heshtja absolute nuk është gjithmonë shenjë stabiliteti. Ndonjëherë është shenjë dorëzimi. Dhe kur një shoqëri dorëzohet, demokracia mund të mbetet në letra, ndërsa në realitet shndërrohet në një fasadë.

Protesta, në fund të fundit, është një provë e dyfishtë: provë për qytetarin që kërkon të drejtën dhe provë për pushtetin që pretendon se qeveris në emër të qytetarit. Në shesh takohen këto dy botë: pushteti që duhet të dëgjojë dhe qytetari që refuzon të heshtë. Aty fillon demokracia e vërtetë.

Burimi: Bota Sot