Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se një punonjës ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti të rëndë në punë. Sipas njoftimit, ky aksident ka ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit.
“Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar Policia e Kosovës dhe ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa njësitë përkatëse ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme.”- thuhet në njoftimin e KEK-ut. KEK-u ka thënë se për shkak të veprimeve që janë duke u zhvilluar dhe nevojës për njoftimin e familjarëve, në këtë fazë nuk mund të japin hollësi tjera.
Korporata ka paralajmëruar se do të dalë edhe me njoftim tjetër pasi që të konfirmohen rrethanat e rastit.
