Trajneri gjerman Felix Magath flet për futbollin e Kosovës

0%

Trajneri i njohur gjerman Felix Magath, një prej figurave të njohura të futbollit gjerman si futbollist dhe trajner, ka folur ekskluzivisht për KosovaPress gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku është njohur nga afër me futbollin kosovar, klubet dhe talentet e rinj.

Magath ka qenë futbollist i Gjermanisë Perëndimore, ndërsa si trajner ka drejtuar Bayern Munichun dhe Fulhamin, duke u bërë trajneri i parë gjerman në Premier Ligë. Vizita e Magathit në Kosovë është mundësuar nga afaristi kosovar Isak Neziri.

Gjatë qëndrimit disa ditësh, ai ka vizituar klube të futbollit, ka parë ndeshje e seanca stërvitore, ndërsa ka qenë edhe në Kampin Nacional të FFK-së. Në një intervistë për KosovaPress, Magath ka thënë se arsyeja kryesore e ardhjes së tij ishte dëshira për të parë nga afër se si ka evoluar futbolli në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Kam ardhur këtu për të parë se si është situata tani në futbollin e Kosovës, pasi para pak vitesh isha në kontakt me federatën dhe gati sa nuk u bëra përzgjedhës i kombëtares. Prandaj kam pasur interes se si po zhvillohen gjërat këtu” , ka deklaruar Magath. Ai ka mbetur i impresionuar nga pasioni për futbollin dhe numri i talenteve që ka Kosova.

Megjithatë, Magath ka veçuar një element që, sipas tij, futbollistët e Kosovës mund ta mësojnë nga ata gjerman dhe është i domosdoshëm për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit kosovar, disiplina. “Siç po e shihni, situata për Kosovën është se ata mund të zhvillohen shumë lirshëm.

Dhe nga kjo, le të themi, ndoshta mungon një vetijë që në sportet ekipore është thelbësore për të pasur sukses: domethënë disiplina. Dhe këtë sigurisht që mund ta mësojnë nga gjermanët, sepse kjo në Gjermani gjithmonë është vendosur shumë në plan të parë. Disiplina sjell sukses, por suksesi gjithashtu e shkatërron disiplinën”, është shprehur ai.

Trajneri gjerman ka folur edhe për futbollistët me prejardhje nga Kosova që zhvillohen në kampionate të ndryshme evropiane. Ai ka veçuar mbrojtësin e majtë Leart Paqarada, duke e cilësuar si një lojtar që ka lënë gjurmë edhe në futbollin gjerman. “Po sigurisht, Paqarada për shembull, te St. Pauli.

Ai ka qenë… apo është një mbrojtës i majtë shumë i mirë, i cili ka lënë gjurmët e tij edhe në Bundesligë”, ka thënë Magath. Magath ka folur edhe për një kapitull të kaluar, kur ishte pranë marrëveshjes për të marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës.

Ai ka treguar se bisedimet me Federatën e Futbollit të Kosovës ishin shumë pranë marrëveshjes, por ato u ndërprenë për shkak të rrethanave tragjike. “Ishin disa rrethana të tjera, që nuk kishin të bënin fare me federatën apo me mua, të cilat në fund i ndërprenë bisedimet.

Pra, ishim shumë pranë marrëveshjes dhe besoj se të dyja palët do të kishim dashur të bashkoheshim, por për shkak të vdekjes së papritur të një personi, bisedimet u ndërprenë”, ka rrëfyer Magath.

Megjithatë, ai nuk e ka komentuar si një mundësi konkrete rikthimin në stolin e Kosovës, duke vlerësuar punën e përzgjedhësit aktual Franco Foda gjithashtu beson se Kosova ka potencial për t’u kualifikuar në një nga turnetë e mëdha ndërkombëtare.

Ndërkohë, Isak Neziri ka bërë të ditur për KosovaPress se vizita e Magathit nuk pritet të jetë e fundit dhe se synimi është që në Kosovë të afrohen edhe emra të tjerë të njohur të futbollit evropian dhe se ideja është që përmes këtyre kontakteve të hapen rrugë të reja për futbollistët e rinj kosovarë dhe t’u krijohen mundësi për zhvillim në klube profesionale jashtë vendit.

“Kjo është një mundësi e artë për futbollin e Kosovës, është një mundësi e artë për talentet tona. Ne jemi që dy ditë, sot është dita e tretë në Kosovë, nuk do të jetë e fundit në asnjë formë, për shkak se është i befasuar pozitivisht me atë gjithçka që ka parë.

Do të thotë, unë kam folur pak për Kosovën, për futbollin, por është e mira që ky e ka përjetuar tash e tri ditë për së afërmi talentet tona, futbollin tonë, i njeh shumë lojtarët tanë. Kështu që është kjo ideja, të hapim rrugë për rininë, për futbollistët tanë”, ka deklaruar Neziri.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu vizita të tjera nga trajnerë, ish-futbollistë dhe personalitete të njohura të futbollit evropian, me synimin që përvoja dhe lidhjet e tyre të shërbejnë në zhvillimin e futbollit kosovar.

Burimi: Bota Sot