Ismael Saibari ka pasur tashmë mundësinë të përjetoj një nga anët më të mira të shtëpisë së tij të re. Marokeni ka rreth dy javë që stërvitet me klubin e tij të ri, Bajernin, dhe gjatë kësaj kohe Mynihu nuk ka pasur asnjë ditë me shi.
Dielli ka shkëlqyer vazhdimisht dhe, nëse trajneri Vinsent Kompani do të kishte në dorë, kjo do të përkthehej natyrshëm edhe në paraqitje më të mira nga ylli i tij i ri.Bajerni e bleu Saibarin nga PSV Eindhoveni për rreth 50 milionë euro, duke i ofruar një kontratë deri në vitin 2031. 25 vjeçari vjen te bavarezët si lojtari i sezonit në Holandë, pasi kontribuoi me 19 gola dhe nëntë asistime në 39 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Saibari vjen me pritshmëri të mëdha, jo vetëm për shkak të sezonit të shkëlqyer në Holandë. Në Ligën e Kampionëve, ai shënoi një gol spektakolar kundër klubit të tij të ri, përpara se Herri Kejn të siguronte fitoren për Bajernin. Kejn, ndërkohë, do të rikthehet në stërvitje pas pushimeve dhe më pas do të lind pyetja se si do të duket formacioni ideal i Bajernit.
Është e qartë se fituesi i “Këpucës së Artë” do të jetë pjesë e tij, ndërsa Luis Diaz dhe Majkëll Olise janë po ashtu të pazëvendësueshëm në krahun e majtë dhe të djathtë. Në rolin e numrit 10, Musiala, Karl, Gnabri dhe Saibari do të luftojnë për një vend titullari. “Pozicioni im i preferuar është numri 10, këtë e dinë të gjithë”, tha ai.
“Edhe Vini më ka thënë se mund të luaj në shumë pozicione. Ne ndryshojmë pozicionet shumë shpesh, kështu që nuk është edhe aq e rëndësishme.
Në fund të fundit, mund të konkurroj me Musialën dhe të tjerët, por gjithashtu mund të zëvendësoj Kejnin apo edhe të luaj në krahun e majtë në vend të Luis Diazit.” Saibari u shfaq i rezervuar të premten, duke shmangur deklaratat e bujshme dhe duke folur qetë, ndërsa përdorte kufje për përkthim.
Edhe pse marokeni, i lindur në Spanjë, flet pesë gjuhë, për momentin ai u kufizua në përgjigje të shkurtra në anglisht. Ai dëshiron të mësoj gjermanishten brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Saibari mësoi të luante futboll te Anderlehti dhe Genku, duke vazhduar karrierën pavarësisht një deformimi të lindur të këmbës. Në moshën 19 vjeçare ai u transferua te PSV.
Bajerni e kishte ndjekur prej kohësh mesfushorin, por në fund ishte paraqitja e tij kundër bavarezëve ajo që i bindi drejtuesit të bënin lëvizjen për transferimin e tij.
