Tirana feston sot 106 vjetorin e themelimit dhe padyshim, kjo datë historike mbetet një kujtesë e fortë për identitetin dhe trashëgiminë e “bardhebluve”. Teksa skuadra po i drejtohet me një “fytyrë” të re sezonit në Superiore, “lëkura” mbetet po e njëjta, ashtu sikurse rrahjet e zemrës për tifozët bardheblu.
Në një postim në profilin e tyre në rrjetet sociale, Tirana shkruan se “koha plak gjithçka”, por jo ato pak gjëra që lindin për t’u trashëguar, si i vetmi koncept që mbetet i çmuar, që kur u themelua. 106 vjet histori, në të cilat ndodhën shumëçka, që tek duart që ngritën trofetë, zërat që mbushën tribunat dhe brezat që i dedikuan dashurinë e tyre të përjetshme klubit të zemrës.
Por, Tirana është simboli i përjetësisë, siç shkruan dhe vetë klubi ku në poster shfaqen vitet historike të Tiranës, kulla e Sahatit që mbetet simboli i kryeqytetit si dhe tifozët që nuk rreshtin së brohorituri për skuadrën. “Ndoshta kjo është përjetësia, të kalosh nga një zemër në tjetrën”, përmbyll Tirana.