Skuadra shqiptare Otrant-Olimpik nga Ulqini, me president Skënder Rexha sonte treguan zemër të madhe, duke e deklasuar Sutjeskën në Nikshiq më rezultat 4:1 në kuadër të javës së tretë të elitës së futbollit malazez. Humbje e tretë rresht për Sutjeskën, por këtë humbje nga skuadra shqiptare nuk mund ta durojnë.
Sipas mediumit malazez, “Vijesti”, klubi u deklarua pas turpërimit dhe humbjes nga Otrant-Olimpik në Nikshiq me rezultatin 4:1. Në postimin që shoqëron komunikatën në rrjetin social Facebook, drejtuesit e Sutjeskës kanë vendosur t’i çaktivizojnë komentet, gjë që edhe më parë ishte praktikë kur në klub nuk kishte gjithçka në rregull.
“Ndryshe nga Facebook-u, në Instagram komentet janë të lejuara”, ka shkruar media malazeze. Siç theksojnë nga Sutjeska, Komuna e Nikshiqit, si themeluese dhe pronare e vetme e klubit, në ditët në vijim do ta ndryshojë tërësisht strukturën drejtuese të klubit. Do të zgjidhet një Asamble e re, e cila më pas do të zgjedhë edhe Bordin e ri Drejtues.
Sutjeska mbeti pa president të hënën, kur Miomir Ljaka Bakraç dha dorëheqjen. Me largimin e presidentit, edhe Bordi aktual Drejtues nuk ekziston më, ndërsa prej disa kohësh nuk është thirrur një Asamble e re, pasi mbledhja e fundit e asamblesë së vjetër u mbajt më 7 qershor. President i Asamblesë së klubit ishte Ivan Miliçeviq.
Para humbjes nga Otrant-Olimpik, skuadra kishte humbur nga Buduçnosti 1:0 dhe Bokel 1:0. Se çfarë mendojnë për të gjithë këtë tifozët, u bë e qartë edhe sonte, kur ata brohoritën “Drejtoria jashtë!” dhe “Miro, largohu!”, duke iu referuar Miro Vraçarit, nënkryetar i klubit dhe anëtar i Bordit Drejtues. “Ditë të trazuara po vijnë në brigjet e Bistricës.
Në fakt, situata ka kohë që është e trazuar. Tani pritet vendimi i Komunës së Nikshiqit, e cila do të vendosë se kujt do t’ia besojë drejtimin e klubit”, ka shkruar media malazeze.
