Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje politike mes partive, duke vlerësuar se vazhdimi i seancës pa një dakordim paraprak vetëm sa e tensionon më tej situatën institucionale.
Përmes një reagimi, Dehari ka thënë se zhvillimet e fundit në Kuvend ishin pikërisht ato për të cilat kishte paralajmëruar më herët, duke theksuar rrezikun e përplasjeve fizike brenda sallës së Kuvendit.
Ai ka mirëpritur ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, drejtuar partive politike për një takim konsultativ.
Sipas Deharit, Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe një marrëveshje që do ta zhbllokonte situatën institucionale dhe do të garantonte funksionim të qëndrueshëm të institucioneve. Postim i plotë: Të dashur qytetarë, Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar.
Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit. Pas qëndrimit të ri të LDK-së, mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj.
Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ. Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.
Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual.
Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë. Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur.
Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme.
