Menduh Thaçi përgënjeshtron Ali Ahmetin: Nuk ka ekzistuar dokument

0%

Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka përgënjeshtruar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, lidhur me pretendimin se ka ekzistuar një projekt për ndarjen e Maqedonisë së Veriut. Thaçi deklaroi se nuk ka pasur kurrë dokument zyrtar për një ndarje të tillë, duke thënë se ideja ishte nxjerrë nga disa pseudoakademikë të UDB-së serbe.

“Për ndarjen e Maqedonisë nuk ka pasur dokument. Kanë qenë disa pseudoakademikë në atë kohë, të instruktuar nga UDB-ja e Serbisë, të cilët e nxorën këtë ide. Ajo s’ka qenë ide e Akademisë së Shkencave dhe as Arbën Xhaferi nuk ka dokument, sepse nuk ekziston”, deklaroi Thaçi. Sipas tij, ideja për ndarjen e vendit ishte përdorur për të dëmtuar organizimin politik të shqiptarëve.

“Ali Ahmetit atëherë UDB-ja i ka thënë: kjo është rruga që mund ta shkatërrosh organizimin politik të shqiptarëve. Dhe ai flet palidhje, na paska ekzistuar dokument”, shtoi Thaçi. Deklaratat e tij vijnë pas fjalimit të Ahmetit në shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ahmeti, duke iu përgjigjur ish-ministrit Vllado Buçkovski, i cili tha se kishte ekzistuar një plan për ndarjen e Maqedonisë, deklaroi se e kishte pasur në dorë një projekt të tillë. “Po, unë e kam pasur projektin e ndarjes, z. Buçkovski! Dhe e kam pasur prej autoriteteve të larta! Dhe unë nuk e kam pranuar!”, tha Ahmeti.

Ai shpjegoi se një ndarje e tillë do t’i linte jashtë shqiptarët e Shkupit dhe të qyteteve të tjera, duke përmendur Kumanovën, Strugën, Kërçovën, Prilepin dhe Velesin. Ndërkaq, Thaçi paralajmëroi se nëse Ahmeti vazhdon me deklarata të tilla, do ta padisë në gjykatë në emër të Arbën Xhaferit, pasi, sipas tij, pretendimet e tilla ndaj figurës së ish-kryetarit të PDSH-së janë të papranueshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com