Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë lidhur me raportimet për një transferim të mundshëm të armëve dhe municioneve amerikane nga territori turk drejt Ukrainës.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka bërë të ditur se Moska ka kërkuar shpjegime nga Uashingtoni dhe Ankaraja për informacionet që flasin për dërgimin në Kiev të një arsenali të konsiderueshëm amerikan të vendosur në Turqi. Sipas saj, një veprim i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në raportet e Rusisë me të dyja vendet.
“Një veprim i tillë do të shkaktonte dëme serioze në marrëdhëniet tona dypalëshe me Uashingtonin dhe Ankaranë”, ka deklaruar Zakharova. Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme ruse ka hedhur poshtë idenë e një armëpushimi në Detin e Zi, duke argumentuar se Moska nuk sheh arsye për t’u dhënë forcave ukrainase një periudhë pushimi.
Zakharova ka akuzuar gjithashtu Ukrainën për, siç i ka quajtur ajo, “akte të paturpshme terroriste” kundër transportit detar. Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet mes Moskës, Kievit dhe vendeve që mbështesin Ukrainën mbeten të larta, ndërsa furnizimet me armë vazhdojnë të jenë një nga çështjet më të ndjeshme të konfliktit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
