KFOR-i në Kosovë ka qenë dhe mbetet struktura më e suksesshme e pranisë ndërkombëtare parashikuar në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Ishte dhe mbetet gjithashtu institucioni më i rëndësishëm për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Roli i tij në këtë aspekt është ende përcaktues dhe determinues. Nuk e zevendëson dot këtë rol asnjë strukturë tjetër ndërkombëtare.
Dhe për këtë rol përcaktues dedikimi shkon sidomos te forcat e KFOR-it amerikan, britranik, gjerman dhe turk. Francezët na lanë gozhdën e Nastradinit në Urën e Ibrit. Italianët, si italianët, por në përgjithësi pozitivë ndaj kauzës së drejtë të paqes dhe të sigurisë. Megjithatë shtrohet pyetja tashmë legjitime, se kush mund ta zevendësojë këtë rol në të ardhmen?
Nëse kemi parasysh dy vendimet e fundit të komandës së KFOR-it për ta kaluar sigurinë e manastirit të Deçanit dhe të Urës së Ibrit te policia e Kosovës, atëherë do të thotë se në vazhdim rolin e KFOR do ta luajë Ushtria dhe Policia e Kosovës. Pra Forcat e Armatosura të saj. Rrjedhimisht shteti kosovar.
Dy vendimet e fundit që përmendëm më lart na japin leksionin sipas të cilit, sa më shumë të forcohet shteti i Kosovës, aq më shumë rritet përgjegjësia dhe roli i tij në sigurinë e vendit. E njëkohësisht aq më shumë limitohet roli dhe përgjegjësia ndërkombëtare në përgjithësi dhe e KFOR-it në veçanti.
Ka nga ne shqiptarët që kufizimin sistematik të kompetencave dhe përgjegjësive të prezencës së NATO-s në Kosovë ta konsiderojnë si “kërcënim” për stabilitetin, paqen dhe sigurinë në Kosovë e më tej.”Mos na lashtë Zoti pa KFOR-n”, thonë këta. E kundërta është e vërtetë.
Sa më shumë përgjegjësi dhe kompetenca te strukturat e sigurisë së Kosovës, aq me i qëndrueshëm dhe më e sigurt bëhet stabiliteti. Sepse KFOR-i nuk mund të jetë përgjithmonë në Kosovë, ndërkohë që shteti i Kosovës do të jetë aty den baba den.
Bartja e kompetencave për Policinë e Kosovës në Manastir dhe te Ura e Ibrit janë shprehje e besimit ndërkombëtar te shteti dhe institucionet e sigurisë kosovare. Asgjë nuk vjen dhe nuk bartet ashtu rastësisht. Çeshtjet e sigurisë nuk paragjykohen me realitetet politike. Çdo vendim i KFOR-it dhe i NATO-s në Kosovë vjen pas një monitorimi të hollësishëm dhe relativisht të gjatë në kohë.
Çfarë mund të vijë pas këtyre dy vendimeve? Në varësi me ushtrimin e sovranitetit të plotë në veri të Kosovës dhe me aktet legjitime të forcave të armatosura, në varësi me profesionalizmin e policisë dhe të ushtrisë, NATO do të anulojë marrëveshjen e nënshkruar me Hashim Thaçin dhe dekretuar nga Atifete Jahjaga për kalimin e forcave speciale të FSK-së në veri të Kosovës vetëm me lejen e KFOR-it.
Ushtrimi i plotë i të drejtës për konstrollin e territorit kudo, pra edhe në veri, ku është përqëndruar KFOR, do të jetë sinjali i parë serioz për njohjen përfundimtare të sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe për pranimin e saj në NATO.
Nuk mund të pranohet në NATO një vend i cili nuk ka të drejtën e plotë të kontrollit të territorit të tij pa miratimin e një strukture ndërkombëtare të sjellë në Kosovë në kuadër të vënies së saj si protektorat ndërkombëtar i OKB-së.
Vendimet dhe veprimet e qeverisë Kurti në pesë vitet e fundit, sidomos prej vitit 2022 e këtej janë premisa e parë e këtyre rezultateve që unë do t’i quaja spektakolare sa i përket kthimit të besimit, koordinimit, marrëveshjes dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar.
Ato vendime, të cilat disa mekanizma perendimore të ndikuara nga Sorosi dhe po ashtu qeveria serbe e ajo shqiptare, i kontestuan, i kritikuan, i qortuan, madje i shoqëruan edhe me msa shtrënguese, pikërisht ato vendime sollën sot legjitimimin e rritjes së rolit të Kosovës në menaxhimin e çeshtjeve të sigurisë në vend. Ky sukses është për t’u studiuar si një eksperiment specifik.
Se si mund të shkohet pas një kohe të shkurtër nga masat shtrënguese te e drejta e kontrollit thuajse të plotë të territorit, kur për sigurinë janë ndërkombëtarët, ky rast është vërtet një eksperiment me shumë të njohura e të panjohura. Kalimi i komptenecave të KFOR-it te policia dhe strukturat e sigurisë së Kosovës dëshmon edhe diçka tjetër.
Aleatët, nëse janë të tillë e të sinqertë, pranojnë kundërshtitë e partnerëve të tyre. Pra ata nuk diktojnë për shkak të autoritetit, nuk sillen me arrogancë për shkak të meritave që kanë e kështu me radhë. Aleancë do të thotë përcaktimi dhe realizimi i qëllimeve të përbashkëta me interes të përbashkët.
Në këtë kuptim, duket se vendet anëtare të NATO-s duke kaluar përgjegjësitë te shteti i Kosovës po konfirmojnë një lloj reflektimi për qëndrimet që u mbajtën në 4-5 vitet e fundit. Në fund të fundit vetë KFOR-i që prej 23 shtatorit 2023 kur ndodhi Banjska e deri më sot nuk është përballur më me dhunën fizike të forcave ekstremiste serbe në veri, të mbështetura ato nga Beogradi.
Nuk ka patur më protesta apo aq më pak barrikada dhe bllokime rrugësh. Që do të thotë se mjedisi në veri të vendit ku vepron KFOR-i u bë më i sigurt edhe për vetë KFOR-n, gjithnjë për meritën e shtetit të Kosovës. Mjafton ky fakt që NATO të veprojë në favor t ë rritjes së rolit të instirucioneve të Kosovës në vend.
