Sulmuesi i Galatasarayt, Victor Osimhen, ka reaguar shkurtimisht ndaj raportimeve që e lidhin me një transferim të mundshëm te Arsenali. Reprezentuesi i Nigerisë është përfolur më herët për një kalim te Chelsea dhe së fundmi edhe te Tottenhami, ndërsa sipas raportimeve të Daily Mail , Arsenali tashmë është shfaqur si favoriti kryesor për transferimin e tij.
Osimhen nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Galatasaray, por ka bërë të qartë se për momentin është i fokusuar te përgatitjet parasezonale dhe puna me klubin turk. “Gjatë afatit kalimtar gjithmonë ka thashetheme. Unë thjesht do ta bëj punën time. Jam i fokusuar te përgjegjësitë e mia dhe më pas do të shohim dhe do të mendojmë se çfarë vjen më pas”, deklaroi Osimhen.
Kjo deklaratë nuk e konfirmon një transferim te Arsenali, por as nuk e mbyll mundësinë e largimit të tij nga Stambolli gjatë kësaj vere. Arsenali raportohet se po shqyrton një lëvizje për 27-vjeçarin, ndërsa Galatasaray e vlerëson sulmuesin rreth 67.9 milionë euro.
Nëse “Topçinjtë” vendosin ta konkretizojnë interesimin, Osimhen mund të bëhet një prej goditjeve më të mëdha të Arsenalit në këtë afat kalimtar./ Telegrafi
