Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka refuzuar ftesën për takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk po kërkojnë zgjidhje për krizën institucionale.
Në një përgjigje drejtuar Haxhiut, Gjini ka thënë se ajo nuk është presidente e zgjedhur e Kosovës dhe, sipas tij, nuk ka mandat për të luajtur rolin e unifikueses së spektrit politik. Ai ka akuzuar Haxhiun dhe Kurtin se takimin po e kërkojnë për të gjetur fajtorë për vendimin që, sipas tij, tashmë e kanë marrë për ta çuar vendin në zgjedhje.
Gjini ka pretenduar gjithashtu se qëllimi i Vetëvendosjes është zvarritja e bllokadës institucionale deri në një datë që, sipas tij, i konvenon kësaj partie për mbajtjen e zgjedhjeve. Postimi i plotë: Letra e Kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini për takimin e ftuar nga Albulena Haxhiu.
E nderuar zonja Haxhiu, Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional.
Qëllimi juaj ëshë më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës. Ardian Gjini Kryetar i Aleancës Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
