Të rinj, mësues dhe mentorë të teknologjisë në Kosovë kanë zhvilluar mjete praktike me inteligjencë artificiale, me synim që të nxënit të bëhet më i qasshëm dhe gjithëpërfshirës, ka bërë të ditur UNICEF-i në Kosovë.
Në një hakaton treditor (garë për krijimin e zgjidhjeve praktike), të mbajtur në Ferizaj morën pjesë rreth 35 persona, ndërsa katër ekipe të studentëve të Universitetit të Prishtinës punuan së bashku me mësues, asistentë mësues dhe fëmijë me aftësi të kufizuara.
Sipas UNICEF-it, puna e tyre u përqendrua në pyetjen se si inteligjenca artificiale mund t’i mbështesë mësuesit dhe asistentët në klasat gjithëpërfshirëse.
Sfidat që u trajtuan erdhën drejtpërdrejt nga mësuesit dhe përfshinin materiale mësimore të paqasshme, njohuri të kufizuara për teknologjitë asistive, vështirësi në vlerësimin e përparimit të nxënësve me aftësi të kufizuara, stigma, klasa të mëdha dhe mundësi të pamjaftueshme për trajnim.
Përgjatë programit, studentët kaluan nga dëgjimi dhe kuptimi i këtyre sfidave te dizajnimi, testimi dhe përmirësimi i zgjidhjeve. “Kjo përvojë unike më dha mundësinë të mësoj shumë gjëra të reja, duke dëshmuar njëkohësisht se edhe me aftësi fillestare mund të ndërtoj zgjidhje domethënëse që ndikojnë pozitivisht në jetën e fëmijëve”, ka thënë studentja Jona Dika.
Zgjidhja fituese, “MësoLehtë AI”, u mundëson mësuesve të ngarkojnë një tekst të vështirë dhe ta përshtatin atë për nevoja të ndryshme të të nxënit. Mjeti mund ta thjeshtojë përmbajtjen në nivele të ndryshme, të shpjegojë fjalorin, të përgatisë kuize dhe të ofrojë funksione tekst-në-zë në shqip dhe anglisht.
Krahas saj, pjesëmarrësit zhvilluan edhe tri zgjidhje të tjera që lidhen me planifikimin individual të arsimit, përshtatjen e materialeve në formate më të qasshme dhe përcjelljen e përparimit të nxënësve. UNICEF-i ka bërë të ditur se shkollat pjesëmarrëse do të vazhdojnë të marrin mbështetje teknike dhe mentorim për të përmirësuar dhe vënë në përdorim zgjidhjet premtuese.
Sipas UNICEF-it, programi synon të forcojë aftësitë digjitale dhe njohuritë për inteligjencën artificiale te të rinjtë, duke i përfshirë ata në krijimin e zgjidhjeve që mund të ndihmojnë në eliminimin e pengesave dhe promovimin e arsimit gjithëpërfshirës.
