Togeri policor Dafnis Curri, pjesëtar i Policisë së Kosovës me karrierë të gjatë dhe me përvojë në pozita udhëheqëse, është fotografuar në një darkë në Gjakovë në shoqërinë e personave të njohur për organet e drejtësisë, përfshirë persona me dënime të mëparshme dhe me lëndë aktive që janë duke u trajtuar nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Fotografia, të cilën ka arritur ta sigurojë KALLXO.com, ishte publikuar në rrjete sociale. Në të shihet togeri Curri në një tavolinë me persona, të cilët sipas të dhënave të siguruara nga Gjykata Themelore në Gjakovë, kanë pasur ose kanë lëndë në sistemin e drejtësisë. Gegë Lleshi dhe Lulzim Krasniqi janë dy nga personat që KALLXO.com ka arritur t’i identifikojë në fotografi.
Të dy kanë të dhëna në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndërsa Lleshi ka edhe një lëndë aktive për fajde dhe mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve. “Lënda është aktive dhe e caktuar”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Gjakovë. Përveç kësaj lënde aktive, Lleshi ka edhe lëndë të përfunduara dhe të arkivuara.
Sipas të dhënave të gjykatës, më , Gegë Lleshaj ishte shpallur fajtor bashkë me disa persona të tjerë për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Në bazë të vendimit të siguruar, pretendohet se më , në depon e një bodrumi të një objekti banesor në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, të pandehurit kishin organizuar, zhvilluar dhe marrë pjesë në veprimtarinë e lojërave të fatit, konkretisht në lojën poker.
Sipas vendimit, pas një kontrolli të zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës, të pandehurit ishin zënë duke ushtruar veprimtarinë me lojëra të fatit në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit. Lleshi ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Me kërkesë të tij, dënimi ishte zëvendësuar me gjobë prej 3 mijë e 600 eurosh.
Në këtë dënim ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, në kohëzgjatje prej 60 ditësh, nga data deri më . Një tjetër vendim për Lleshin ishte marrë më . Gjykata Themelore e Gjakovës kishte aprovuar marrëveshjen për ndërmjetësim mes Lleshit dhe një personi tjetër për lëndim të lehtë trupor.
Lleshi e kishte pranuar fajësinë për veprën penale dhe ishte pajtuar me palën tjetër me të cilin kishte pasur konflikt. Në mesin e personave me të dhëna në gjykatë është edhe Lulzim Krasniqi, i cili, sipas pretendimeve të tij, kishte organizuar darkën ku ishte i pranishëm edhe togeri Dafnis Curri.
Krasniqi në regjistrin e Gjykatës së Gjakovës figuron me një lëndë të përfunduar për armëmbajtje pa leje. Vendimi i gjykatës tregon se më , rreth orës , në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, Krasniqi ishte ndaluar për një kontroll rutinor. Brenda veturës së tij luksoze “Ferrari” ishte gjetur një armë e tipit “TT” me 8 fishekë, për të cilën nuk kishte leje.
Ai ishte dënuar me gjobë prej 1 mijë e 200 eurosh, ndërsa arma ishte konfiskuar. Sipas përgjigjes së Gjykatës së Gjakovës, Krasniqi figuron edhe me një lëndë në procedurë paraprake në vitin 2025, për posedim të armës pa leje. Një tjetër lëndë në procedurë paraprake është edhe ajo për kërcënim.
Ndërsa në procedurë përmbarimore, si lëndë aktive, Krasniqi ka edhe një rast për të cilin gjykata nuk ka dhënë detaje. Pretendimet e pjesëmarrësve në darkë Darka ishte organizuar, sipas Lulzim Krasniqit, në ambientet e shtëpisë së tij. Në një bisedë me KALLXO.com, Krasniqi ka thënë se personat që shihen në fotografi i njeh dhe se janë pjesë e shoqërisë së tij.
“Ju po më pyeteni nëse i njoh personat. Normalisht që i njoh, sepse unë nuk kam lokal, bar apo restorant të hapur për publikun. Ajo është shtëpia ime private. Megjithatë, jo të gjithë personat që kanë qenë aty njihen mes vete. Edhe ai polici nuk i njeh të gjithë personat që kanë qenë aty”- ka thënë në një bisedë me KALLXO.com, Lulzim Krasniqi.
I pyetur për pjesëmarrjen e togerit policor nga Peja në atë darkë, Krasniqi sërish ka thënë se personat nuk njiheshin të gjithë mes vete. “Edhe një herë, personat nuk njihen të gjithë mes vete. Ata ishin të ftuar për darkë nga unë, meqë kisha ardhur nga Zvicra. Ne të gjithë jemi njerëz të lirë dhe të ndershëm dhe nuk kemi asnjë lidhje me çfarëdo lloj kriminaliteti”- ka shtuar Krasniqi.
Togeri policor nga Peja, Dafnis Curri, i cili ka udhëhequr edhe Njësitë e Reagimit të Shpejtë atje, në një bisedë me KALLXO.com ka thënë se nuk i njihte personat që ishin në tavolinën e darkës. Curri tha se nuk i njihte Gegë Lleshin dhe një person tjetër, për të cilin KALLXO.com nuk ka pranuar të dhëna zyrtare nëse ka ndonjë lëndë aktive në prokurori apo polici.
“Unë nuk po i njoh kush janë këta hiç edhe kurrë në jetë nuk pasna ni për ta. E vërtetë se kam qenë rastësisht në atë vend me një shok, por emrat që i përmende ti unë nuk i njoh as nuk e di se cilët janë këta në fotografi po ashtu nuk ua di të kaluarën meqë paske pyet”- ishte përgjigja e Currit.
Curri nuk e përmendi faktin se ishte ftuar në darkë, ashtu siç e kishte konfirmuar Lulzim Krasniqi. Ai nuk e arsyetoi as faktin se ishte brenda hapësirave të shtëpisë së një personi, por tha se vendi ku ishte shkrepur fotografia kishte qenë në Gjakovë. “Besoj që këta persona janë të njohur për regjionin e Gjakovës e jo për mua në regjionin e Pejës”- tha tutje Curri.
I pyetur në lidhje me integritetin dhe etikën policore për takime të tilla me njerëz me të kaluar kriminale, Curri tha se është i kujdesshëm në këtë pjesë.
“Jam i kujdesshëm në këtë për ruajtjen e etikës, mirëpo këtu nuk kam pasur asnjë njohuri se kush janë këta dhe është hera e parë dhe e fundit në jetën time që i kam parë dhe gjatë gjithë kohës kam menduar se personat që shihen në foto janë mërgimtarë”- përfundoi Curri.
Gegë Lleshi ishte më i shkurti në diskutim lidhur me fotografinë që KALLXO.com i dërgoi për ta komentuar shoqërimin me togerin policor Dafnis Curri. “Nuk i njoh unë këta persona. Një shok nga jashtë më ka thirrë në darkë e nuk i njoh ata as ata mua. Nuk e di unë cili është togeri, mua më ka ftu një shok i Zvicrës, kaq më shumë sen nuk di.
Në rregull jam unë me gjithçka”- tha Lleshi, i cili nuk pranoi të komentojë edhe dosjet e tij në gjykatë. KALLXO.com ka kërkuar të dhëna edhe nga Drejtoria e Policisë në Gjakovë në lidhje me personat që shihen në fotografi me togerin policor Dafnis Curri. Deri në publikimin e këtij artikulli, as Policia e Kosovës e as Prokuroria e Gjakovës nuk kanë kthyer përgjigje.
Zëdhënësi i prokurorisë ka thënë se gjendet në pushim vjetor. Në lidhje me këtë situatë, darkën dhe fotografinë e realizuar e më pas të publikuar, KALLXO.com ka kërkuar edhe nga Policia e Pejës të marrë informacione nëse ka ndonjë rast të hapur për personat e apostrofuar në këtë artikull. Deri në publikimin e artikullit, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
