Këshilli Kushtetues i Francës ka rrëzuar ligjin që parashikonte ndalimin e qasjes në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare. Vendimi është një goditje për presidentin Emmanuel Macron, i cili kishte mbështetur këtë masë si pjesë të përpjekjeve për mbrojtjen e të miturve në internet.
Sipas Këshillit Kushtetues, ndalimi do të kërkonte që edhe përdoruesit e rritur të dëshmonin moshën e tyre përpara se të kishin qasje në platforma të caktuara online. Gjykata vlerësoi se ligji nuk përcaktonte qartë kushtet dhe kufijtë e këtij procesi, duke mos ofruar garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë së shprehjes.
Ligji ishte miratuar nga parlamenti francez dhe do ta bënte Francën vendin e parë në Evropë që do të vendoste një kufizim të tillë, duke ndjekur shembullin e Australisë, e cila ka ndaluar përdorimin e disa platformave për personat nën moshën 16-vjeçare.
Pas vendimit, Macron i ka kërkuar kryeministrit Sébastien Lecornu që ta ripunojë projektligjin duke marrë parasysh vërejtjet e Këshillit Kushtetues. Presidenca franceze ka bërë të ditur se synimi është që reforma të hyjë në fuqi para zgjedhjeve presidenciale të pranverës së vitit 2027.
