Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së grupit parlamentar, ka njoftuar se partia e tij tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri, përfshirë edhe kërkesën për postin e presidentit, duke bërë të ditur se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë.
Pas vendimit të LDK-së për t’u tërhequr nga negociatat për bashkëqeverisje, gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
“Mendoj se situata aktuale politike, të cilën e kanë krijuar këto parti, nuk ka shumë shpresë se mund të arrihet diçka më shumë nëse vendi shkon në zgjedhje të reja” , ka thënë ai. Ismail Muçiqi Sipas tij, LDK-ja ende mund ta përmirësojë imazhin e saj përballë elektoratit, nëse kontribuon në zgjidhjen e ngërçit institucional.
“LDK-ja, nëse më në fund e mban fjalën se do të kontribuojë në zgjedhjen e institucioneve të reja, ka shans që në këtë moment ta përmirësojë imazhin e saj përballë elektoratit të vet dhe më gjerë.
Abdixhiku e di mirë se shkuarja në zgjedhje të reja, para së gjithash, do të mund t’i kushtojë atij humbjen e pozitës së kryetarit të LDK-së dhe, njëherësh, të dëmtojë perspektivën e karrierës së tij politike”, ka shtuar ai.
Në fund, Muçiqi ka folur edhe për qëndrimin e LDK-së ndaj zhvillimeve në Kuvend, duke thënë se mospërfshirja e saj në përplasjet politike ka ndikuar në rritjen e imazhit të partisë.
“Në fund, po theksojmë se qëndrimi indiferent, përkatësisht mospërfshirja e LDK-së në ngjarjet që ndodhën në Parlament, të cilat i shkaktuan PDK-ja dhe AAK-ja dhe që po gjykohen e dënohen nga qytetarët e këtij vendi, LDK-së i ka ngritur imazhin, duke treguar përmbajtje dhe pjekuri politike përballë situatës momentale dhe duke kontribuar në stabilitetin politik”, ka përfunduar Muçiqi për “Bota sot”.
