Transferimi i Davide Fratezit te Lacio dukej si një marrëveshje e kryer, por sot ka ardhur një frenim i menjëhershëm që ka ndaluar gjithçka. Sipas “Sky Sport”, frenimi nuk ka ardhur për një mosmarrëveshje mes klubeve apo lojtarit, pasi palët janë të interesuara që transferimi të kryhet, por nga vetë Liga e Serisë A për shkak të problemeve financiare.
Rezulton se mes shifrës së huasë dhe pagës së lojtarit, klubi i Lacios do të kalonte mbi kufirin e shpenzimeve që është përcaktuar në rregullore për bilancet financiare. Lojtari pritej sot në Romë për vizitat mjekësore, por ka shtyrë udhëtimin e tij derisa të sqarohet gjithçka, pasi klubet kanë rifilluar negociatat për të gjetur një zgjidhje të shpejtë.
Parimisht, palët kanë rënë dakord për huazimin për 1 milion euro të lojtarit në këtë edicion me një klauzolë blerje prej 14 milionë eurosh në fund të sezonit, që bëhej e detyrueshme nëse ai luante 25 ndeshje ose nëse Lacio përfundonte të paktën në vendin e 10 në renditje. Interi ka ruajtur edhe 50% të vlerës së kartonit për një shitje të ardhshme.
