Bedri Hamza: Pas qëndrimit të fundit të LDK-së, LVV-ja i ka numrat

0%

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se pas qëndrimit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve. Ai tha se PDK-ja nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe se kjo parti nuk paraqet pengesë për formimin e institucioneve.

“Ne si parti opozitare nuk e kemi kontestuar rezultatin zgjedhor. E kemi pranuar rezultatin. Nuk ka pengesë prej nesh. Përkundrazi, ne po themi: ejani, të përfundojmë me rezultatin zgjedhor, krijoni institucionet, mbani premtimet në Kuvend e në Qeveri dhe zgjidhni presidentin” – tha Hamza në konferencë për media më , pasi që bashkë me deputetë të partisë dhe të Aleancës kërkuan nga foltorja e Kuvendit që të konstituohet legjislatura e re.

Sipas tij, tashmë pas qëndrimit të fundit të LDK-së, Vetëvendosje i ka numrat dhe votat e nevojshme. “Nuk ka pengesë prej neve, është e kundërta, ne po themi: ejani, të përfundojmë me rezultatin zgjedhor, krijoni institucionet, mbani premtimet në Kuvendin e Qeverisë, zgjidhni presidentin, dhe tash pas qëndrimit të fundit të LDK-së, numrat janë të qartë, i kanë numrat, i kanë votat”- shtoi ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

I pyetur se pse LDK-ja nuk mori pjesë në aktivitetin që organizuan ata se Aleanca në sallën plenare ku u kërkua të vazhdohet seanca konstituive, ai tha se LDK-ja është parti në vete dhe se ata duhet të përgjigjen për këtë çështje. Ai paralajmëroi se nëse institucionet nuk formohen, vendi mund të vazhdojë të mbetet në atë që e quajti “vakuum institucional”.

“Lëvizja Vetëvendosje, zoti Kurti, duhet t’i bëjë institucionet apo ta mbajë vendin në vakuum institucional, me mungesë stabiliteti politik dhe, mbi të gjitha, me shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe suspendim të Kushtetutës”- tha Hamza.

I pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në seancë në rast se propozohet një kandidat konsensual për president, Hamza tha se partia e tij do të vazhdojë ta luajë rolin e opozitës. Ai tha se PDK-ja do të ofrojë kritika dhe alternativa, por edhe do të përkrahë çështje që i konsideron në interes të Kosovës.

“Ne do ta luajmë rolin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si parti opozitare, me kritika, me alternativa, por edhe me përkrahje për çështje të rëndësishme për interesin e vendit” – tha ai. Sipas tij, institucionet nuk po respektojnë rendin kushtetues dhe vendimet e gjykatave.

“Nuk ka situatë më serioze sesa suspendimi i rendit kushtetues, mosrespektimi i Rregullores së Punës së Kuvendit dhe mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, duke përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Supreme”- tha Hamza. Ai shtoi se nuk mund të ketë një person njëkohësisht në funksionet e deputetit, ministrit dhe kryeministrit.

“Nuk mundesh me thënë në të njëjtën kohë edhe deputet, edhe ministër, edhe kryeministër. Asnjë pengesë në rrugën e drejtë të konstituimit të institucioneve nuk e ka pasur”- tha ai.

Në aktgjykimin e 26 qershorit 2025, Gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese. Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.

Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Burimi: Kallxo