Detaje të reja janë zbardhur nga rasti i vjedhjes së rëndë në një shtëpi në Shupkovc të Mitrovicës, ku u vodhën para të gatshme dhe stoli ari në vlerë të përgjithshme prej rreth 10 mijë eurosh, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, përveç një të mituri që ishte arrestuar fillimisht, hetimet kanë çuar edhe te Valmir Ademi rreth 27-vjeç, i cili dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me të miturin. Rasti ka ndodhur më 9 gusht, në rrugën “ Isak Ibrahimi ” në fshatin Shupkovc, derisa pronari i shtëpisë, S. M. rreth 53-vjeç, së bashku me familjarët kishte qenë në Bajgorë.
Kur familja është kthyer në shtëpi, është konstatuar se një dritare e katit të parë ishte hapur me forcë. Në dhomën e gjumit ishin kontrolluar dollapët dhe, sipas denoncimit, ishin marrë stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro dhe 4 mijë euro para të gatshme.
Hetuesit dhe Forenzika Rajonale kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa një 16-vjeçar, D.K., është arrestuar si i dyshuar dhe, pas intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, është dërguar në ndalim policor për 24 orë. Por hetimet nuk janë ndalur me kaq.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë veprimeve të mëtejshme hetimore janë siguruar prova mbi bazën e të cilave Policia dyshon se në rast ka qenë i përfshirë edhe Valmir Ademi, në bashkëveprim me të miturin. Meqë Ademi nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij, Policia e kishte futur në kërkim policor “ stop listë ”. Kërkimi ka përfunduar në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Rreth orës të 13 gushtit, Ademi është ndaluar në Pikën Kufitare në Vërmicë, ndërsa për rastin janë njoftuar menjëherë hetuesit. Ai është intervistuar me autorizim të Prokurorit të rastit dhe më pas është ndaluar për 48 orë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
