Një 24-vjeçar është kapur me substancë të dyshuar narkotike gjatë një aksioni të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, në kuadër të planit operativ “Vera 2026 – DokuFest”, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Redon Bytyqi , 24 vjeçar.
Rasti ka ndodhur më 12 gusht, rreth orës , në rrugën “Vatrat Shqiptare” në Prizren, ku njësia e Antidrogës kishte ndaluar dy persona. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në momentin e ndalimit, Bytyqi dyshohet se nga xhepi ka nxjerrë dy qese dhe një cigare joint, të cilat i ka hedhur në drejtim të lumit.
Policët kanë kontrolluar zonën përreth dhe kanë arritur t’i gjejnë e t’i sekuestrojnë. Në dy qeset me mbishkrimin “Thank You” është gjetur substancë e dyshuar si marihuanë me peshë 4.16 gramë, ndërsa në joint është gjetur edhe 0.73 gramë substancë e dyshuar e të njëjtit lloj. Në total bëhet fjalë për rreth 4.89 gramë substancë të dyshuar si marihuanë.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar për Krime të Përgjithshme, me udhëzim të të cilit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është iniciuar për “Posedim të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga DHTN – Njësia në Prizren.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
