Një fotografi e siguruar nga një person anonim ka çuar Policinë te një 23-vjeçar nga Prizreni, i cili dyshohet se ka përdorur armë dhe e ka mbajtur atë pa autorizim, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Ermir Kurtaj , 23 vjeçar, i cili është identifikuar pasi Policia ka pranuar informacion dhe materiale që dyshohet se e implikojnë në rast.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 12 gusht, rreth orës , në rrugën “Mati” në Prizren. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në njërën prej fotografive i dyshuari shihet duke mbajtur një pistoletë në dorë, ndërsa në një tjetër arma shihet e drejtuar nga qielli, duke ngritur dyshimet se ai kishte shtënë me të.
Pas pranimit të informatës, Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin dhe më pas është realizuar bastisje. Gjatë veprimeve policore dhe në bashkëpunim me të dyshuarin është siguruar edhe pistoleta, e cila është sekuestruar nga Njësiti i Forenzikës.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Përgjithshme, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”. Me vendim të Prokurorit, Kurtaj është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
