Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se që javën e ardhshme do të formohet një grup ekspertësh që do të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Vuçiq ka thënë se ekziston një dokumentacion paraprak i projektit, i cili lidhet me një kërkesë të mëhershme për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit.
Ai i bëri këto deklarata të enjten, gjatë vizitës në fshatin Veliki Popoviq. “Meqë ra fjala, do t’ju kujtoj, do t’ju jap të dhënat. Do të shihni se këtë e kishte kërkuar dikur Komuna e Novi Pazarit dhe këtë e kishin kërkuar dikur këshilli boshnjak apo ndonjë organizatë e tillë. Kishin kërkuar ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariqit, ashtu siç edhe kam thënë”, deklaroi Vuçiq.
I pyetur për reagimet ndaj planeve të tij, përfshirë ato nga Brukseli, Vuçiq tha se sipas tij, ato bazohen në supozimin se Serbia po ndërmerr veprime kundër dikujt. “Ata me sa duket nisen gjithmonë nga vetja dhe mendojnë se dikush po bën diçka kundër dikujt.
Dhe për këtë ekziston një dokumentacion paraprak i projektit, por së shpejti, që javën e ardhshme, do të formohet një grup ekspertësh që do t’i shqyrtojë të gjitha këto dhe do të merret me këtë çështje”. Ndërkohë, është hera e pestë që nga 9 gushti që Vuçiqi e ka shprehur publikisht kërcënimin për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
