Në demokraci, kompromisi nuk është dorëzim i fituesit ndaj humbësit dhe as nënshtrim i opozitës ndaj shumicës. Është marrëveshje ku secili pranon peshën që ia ka dhënë qytetari. Prandaj pyetja kryesore nuk është nëse “Republika po mbahet peng”.
Pyetja që një analizë serioze duhet të shtrojë është shumë më kërkuese: Kush po refuzon cilin kompromis, me çfarë të drejte kushtetuese dhe me çfarë legjitimiteti demokratik? Problemi i autotëve, bashkësutorëve të spelt nuk qëndron te numri 46, as te e drejta e nënshkruesve për t’u deklaruar publikisht.
Problemi është nëse pesha e emrave dhe titujve po përdoret si zëvendësim për peshën e argumentit. Një tekst nuk bëhet akademik sepse nënshkruhet nga akademikë. Ai bëhet i tillë kur identifikon problemin, shqyrton shkaqet, ballafaqon interpretimet konkurruese dhe propozon alternativa që mund t’i nënshtrohen debatit dhe verifikimit.
Në rastin e një krize kushtetuese, pritja është edhe më e madhe: nga juristi pritet interpretim juridik; nga ish-gjyqtari kushtetues, analizë e precedentëve; nga politologu, shpjegim i mekanizmave të bllokadës; nga ish-deputeti, alternativa parlamentare; nga diplomati, vlerësim i kostos shtetërore dhe ndërkombëtare. Prandaj pyetja nuk është: pse këta 46 njerëz folën?
Pyetja është: çfarë sollën në debat që publiku nuk e dinte tashmë? Se Kosova ndodhet në ngërç, qytetarët e shohin. Se partitë duhet të bisedojnë, e dinë edhe deputetët. Se kompromisi është i nevojshëm, kjo përsëritet çdo ditë.
Për ta kthyer këtë konstatim në kontribut intelektual nevojitet hapi tjetër: cili kompromis, ndërmjet kujt, mbi cilën bazë kushtetuese dhe me cilin mekanizëm që pengon përsëritjen e së njëjtës krizë? Pikërisht këtu apeli mbetet i varfër. Ai mobilizon autoritet të konsiderueshëm publik, por prodhon relativisht pak ekspertizë të përdorshme për zgjidhjen e problemit.
Kjo krijon edhe një përshtypje të pafavorshme, të cilën vetë nënshkruesit duhet ta marrin seriozisht: se deklarata kolektive mund të funksionojë më shumë si dëshmi publike e pranisë së tyre në debat — “edhe ne reaguam” — sesa si rezultat i një pune të përbashkët intelektuale për daljen nga kriza.
Kjo është përshtypje që del nga forma dhe përmbajtja e apelit; nuk është provë për motivet personale të nënshkruesve. Në fakt, alternativa ishte para tyre.
Dyzet e gjashtë personalitete me atë përvojë mund të kishin krijuar një tryezë profesionale dhe t’i ofronin publikut një dokument serioz: interpretimet alternative të Kushtetutës, kufijtë e obstruksionit parlamentar, raportin ndërmjet mandatit të fituesit dhe të drejtave të opozitës, formulat e mundshme për president konsensual, pasojat e zgjedhjeve të përsëritura dhe, nëse mekanizmi ekzistues rezulton jofunksional, propozimet për reformë.
Një dokument i tillë do të kishte vlerë edhe pas përfundimit të krizës së sotme. Apeli, përkundrazi, rrezikon të harrohet sapo të ndryshojë momenti politik. Këtu qëndron dallimi ndërmjet reagimit publik dhe punës intelektuale. I pari kërkon nënshkrim. E dyta kërkon hulumtim, argument, kundërargument, përgjegjësi individuale dhe zgjidhje.
Madje ekziston një pyetje më e pakëndshme, por legjitime: nëse kaq shumë njerëz me përvojë akademike, juridike, diplomatike dhe institucionale e konsiderojnë situatën kërcënim serioz për Republikën, pse energjia e tyre u materializua në një apel dhe jo në një projekt-zgjidhje? Kosovës nuk i mungojnë njerëzit që konstatojnë krizën.
I mungojnë mekanizmat që e bëjnë krizën më pak të përsëritshme. Prandaj përgjegjësia e intelektualit nuk përfundon me moralizimin e politikës. Pikërisht aty duhet të fillojë puna e tij. Sepse në demokraci intelektuali nuk matet me numrin e emrave pranë emrit të tij, por me idenë që mbetet pasi emrat hiqen nga faqja.
