Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se ka interesim të jashtëzakonshëm për të ndjekur nga afër seancën e 16 shtatorit në Hagë, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Për shkak të numrit të madh të kërkesave për pjesëmarrje fizike në sallën e gjyqit, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se procesi i shqyrtimit të kërkesave po kërkon kohë shtesë. “Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në galerinë për publikun dhe numrit shumë të madh të kërkesave për pjesëmarrje në këtë seancë, procesi i shqyrtimit kërkon kohë.
Sikurse është bërë me dije në lajmërimin e parë, konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet jo më vonë se dy javë përpara seancës. Në atë kohë, të gjithë ata që kanë dërguar kërkesë brenda afatit do të marrin përgjigje në të cilën konfirmohet në qoftë se pjesëmarrja e tyre është e mundur ose jo, bashkë me çdo informacion tjetër relevant”, thotë Specialja në komunikatë.
Më 16 shtator, në Gjykatën Speciale në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
