Deputetë të PDK-së dhe Aleancës janë mbledhur në Kuvend, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe respektimin e rendit kushtetues, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, paraprakisht deklaroi se pa një marrëveshje politike, çdo vazhdim i saj do të ishte “seancë shterpë”. Në sallë ishin edhe dy deputetë të LVV-së.
Tensionet u shfaqën edhe gjatë përpjekjes së kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të mbajtur një konferencë për media. Deputetët e PDK-së e penguan konferencën, duke kërkuar që të vazhdojë seanca konstituive. Haxhiu hoqi dorë nga konferenca, duke thënë se do ta mbajë atë “kur ta lejojë PDK-ja”.
“Në momentin kur PDK-ja na bën të mundur të mbajmë konferencë, unë vazhdoj“- tha ajo në hollin e Kuvendit më . Sa ishin në sallë plenare, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se të gjitha partitë janë ftuar të jenë në sallë për të mundësuar vazhdimin e seancës. “Neve mandatin na e ka dhënë populli, nuk na e ka dhënë Albin Kurti dhe nuk mund të na i marrë.
Me qëllim që ta mbrojmë kushtetushmërinë, me qëllimin që ta funksionalizojmë Kuvendin, përkundër kërkesës sonë nuk është thirrur vazhdimi i seancës andaj ne kemi vepruar drejtë dhe kemi ardhur këtu ku e kemi mandatin në mënyrë që ta përcjellim si qëndrimin tonë”- tha ai.
Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se prania e deputetëve në Kuvend nuk është aksion politik, por përmbushje e detyrimit kushtetues. “Ky nuk është aksion, jemi në vendin tonë të punës. Na obligon Kushtetuta që të jemi këtu çdo 48 orë deri në konstituimin e Kuvendit.
Kryesuesi nuk ka mandat të negociatorit, ka obligim ta thërrasë seancën konstituive dhe ne ta zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e re”- tha Çitaku. Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se deputetët janë në Kuvend për të ushtruar funksionin e tyre. “Ne jemi këtu sot me ftesën e GP të PDK-së për të ushtruar funksionin tonë që është jetik për Kosovën sot.
Sovraniteti i takon popullit dhe institucioneve të zgjedhura, bllokimi i institucioneve… Normat që e rregullojnë Kuvendin janë shkelur. Çfarëdo justifikimi është tentim për me e blloku votën e lirë të qytetarëve që i përfaqësojmë ne”- tha Tahiri. Ndërsa deputetja Sala Jashari e PDK-së tha se nëse duhet të ketë revolucion, ai duhet të bëhet.
“Do të doja të flisnim me të rinjtë se çka kemi bërë këto vite. Mua më obligohet që të ruaj Kushtetutën dhe t’u tregoj të rinjve që, fatkeqësisht, Kosova nuk është në duar të duhura”- deklaroi ajo.
Në anën tjetër, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, paraprakisht tha se pa një marrëveshje politike që do të hapte rrugën për formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve, vazhdimi i seancës do të ishte vetëm një “formalitet ceremonial”.
“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”- ka shkruar Dehari më .
Sipas tij, thirrja e seancave pa marrëveshje politike do të ishte e kotë dhe do të irritonte qytetarët. “Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”- ka shkruar Dehari.
Dehari ka rikujtuar se vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundonte më . Sipas tij, edhe pas përfundimit të këtij afati, Kuvendi nuk ishte konstituuar.
Ai ka thënë se, në atë kohë, kur u kishte bërë thirrje deputetëve të opozitës që të votonin për konstituimin e Kuvendit, përgjigjja kishte qenë se “nevojitet marrëveshje politike”.
Sipas Deharit, përvoja nga dy legjislaturat e kaluara ka treguar se mënyra e vetme për krijimin e institucioneve stabile dhe shmangien e zgjedhjeve është arritja e një marrëveshjeje politike mes partive parlamentare. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar rikthimin e rendit kushtetues dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Përmes një njoftimi, PDK-ja ka thënë se deputetët e saj ndodhen në Kuvend dhe kanë kërkuar që seanca të hapet dhe procesi i konstituimit të vazhdojë. “PDK është në Kuvend dhe kërkon me vendosmëri rikthimin e rendit kushtetues në vend. Reflektoni – HAPENI KUVENDIN!”- thuhet në njoftimin e partisë.
PDK-ja i është drejtuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, duke i rikujtuar se roli i tij si kryesues, sipas moshës, është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Sipas PDK-së, përgjegjësia e Deharit është të mundësojë zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit.
“Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet në reagimin e PDK-së. Tejkalimi i afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit e ka futur procesin e formimit të institucioneve të reja në një fazë të re pasigurie juridike dhe politike.
Deputetët e legjislaturës së re, të zgjedhur në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk kanë arritur ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, ndërsa përplasjet mes partive politike vazhdojnë të pengojnë arritjen e një zgjidhjeje. Në qendër të bllokadës është mosarritja e një marrëveshjeje politike për mënyrën e vazhdimit të procesit dhe për formimin e institucioneve.
Ndërkohë, tejkalimi i afatit ka hapur debat edhe për pasojat juridike që sjell moskonstituimi i Kuvendit dhe nëse një krizë politike mund të justifikojë zgjatjen e një procesi për të cilin Gjykata Kushtetuese veçse kishte dhënë një interpretim.
Në aktgjykimin e , Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se procedura e konstituimit të Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk zgjidhen organet e tij drejtuese.
Ky interpretim është bërë pikë referimi në debatin aktual, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të tejkalohet ngërçi. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe pasi që ka kaluar afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregullore të Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së saj. Megjithatë, seanca konstituive akoma nuk ka përfunduar. Një vazhdim i saj është mbajtur më , ndërsa më pas nuk është thirrur vazhdim tjetër.
