Një Tiranë disi ndryshe, por që ia ka dalë të mbajë të njëjtin identitet. Bardheblutë zgjodhën Dean Klafuriç për t’i udhëhequr në sezonin e ardhshëm në Superiore që starton më 22 gusht dhe krahas tij, ia kanë besuar punën dhe stafit teknik që mbeten “armët” e kroatit. Një ndër to është dhe Bojan Markovski, zëvendëstrajneri ose thënë ndryshe, krahu i djathtë i Klafuriç.
Në një intervistë të shkurtër për Tiranën, që është postuar në rrjetet sociale, Markovski shprehet i lumtur që është pjesë e këtij projekti me kryeqytetasit, duke ndarë dhe detaje nga faza përgatitore, çfarë filozofie po ndjek trajneri me skuadrën, si do të paraqitet ajo në fushë në kampionat dhe premtimi për tifozët besnikë të Tiranës.
“Përvoja ime me Tiranën deri tani është shumë pozitive. Që nga dita që kemi ardhur jemi pritur vërtetë shumë mirë nga të gjithë në klub dhe është një atmosferë pozitive. Çdo ditë po përshtatemi me njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Po e njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë dhe ndihem shumë i lumtur dhe po e shijoj këtë kohë dhe jam shumë krenar që jam pjesë e këtij projekti.
Gjatë kësaj faze përgatitore po ndjekim filozofinë e futbollit të trajnerit dhe fokusi është të ndërtojmë një skuadër me një identitet të qartë futbollistik. Duam të jemi të disiplinuar të mirëorganizuar dhe konkurrues në çdo fazë të lojës së futbolit.
Duam të luajmë futboll në intensitet, të jemi agresivë në mbrojtje, ndërsa në sulm të jemi të guximshëm në zotërimin e topit dhe krijues përpara. Sa u përket lojtarëve, kam mbetur shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata janë të hapur ndaj të mësuarit dhe ideve të reja dhe kjo është shumë e rëndësishme kur ndërton një skuadër të re.
Tifozët mund të presin një skuadër që do të luftojë deri në fund në çdo ndeshje. Ata do të japin gjithçka maksimumin, madje më shumë se kaq, i kapacitetit të tyre. Dua t’i falenderoj tifozët e Tiranës për pasionin e tyre të jashtëzakonshëm dhe mbështetjen ndaj skuadrës. E dimë se çfarë kjo skuadër do të thotë për ta dhe e vlerësojmë besnikërinë e tyre.
Premtojmë se do të japim maksimumin çdo ditë për ta përfaqësuar këtë stemë në një nivel tjetër të lartë për të luftuar për skuadrën dhe t’i bëjmë mbështetësit tanë krenarë. Na duhen këtë sezon që të na mbështesin gjatë gjithë këtij sezoni sepse ata janë fuqia jonë dhe janë forca e skuadrës dhe së bashku jemi më të fortë. Po ju presim në tribuna. Forca Tirona”, ishin fjalët e Markovskit.
