Rosie O’Donnell ka folur hapur për përvojën e saj gjatë xhirimit të një skene intime me miken e saj të kahershme, Cynthia Nixon, në serialin “And Just Like That…”, duke pranuar se e gjithë situata ishte mjaft e sikletshme për të.
Komikja u shfaq në episodin e parë të sezonit të tretë të serialit, vazhdim i “Sex and the City”, ku luan rolin e motrës Mary, një murgeshë që nis një lidhje intime me Miranda Hobbes, personazhin e interpretuar nga Nixon. Dy personazhet takohen në një bar lezbikësh gjatë vizitës së Mirandës në New York.
Gjatë një interviste në podcastin e Amy Poehler, “Good Hang”, O’Donnell pranoi se xhirimi i skenës me një mike të afërt ishte veçanërisht i sikletshëm për të. “Isha shumë nervoze”, tha ajo. “Puthja nuk ishte e vështirë, por të shtrihesha në shtrat dhe të aktroja sikur sapo kishim përfunduar… thjesht mendova: ‘Uh’. Jam pak e papjekur në këto gjëra”.
Poehler i tha se nuk mendonte se bëhej fjalë për papjekuri. “Kam folur me shumë miq që duhet të xhirojnë skena intime dhe kjo është një aftësi më vete”, tha ajo, ndërsa O’Donnell u pajtua: “Është aftësi. Vërtet është.” O’Donnell tregoi se nuk e kishte kuptuar se sa intime do të ishte skena kur pranoi të luante përkrah Nixon, 60-vjeçare. “Para së gjithash, unë e adhuroj atë.
E dua dhe e respektoj shumë”, tha ajo. “Më telefonoi dhe më tha: ‘Ro, Michael Patrick King të ka shkruar një skenë, dhe është me mua. A dëshiron ta bësh?’ I thashë: ‘Me ty, sigurisht’. Pastaj lexova skenarin dhe kuptova se isha në shtrat, e mbuluar vetëm me çarçaf.
Mendova: ‘O Zot’.” O’Donnell tregoi se skena e vetme tjetër intime që kishte realizuar gjatë karrierës ishte me aktorin e ndjerë Julian McMahon në serialin “Nip/Tuck”. “Prandaj isha nervoze me Cynthia-n”, shtoi ajo. “Pastaj regjisori Michael tha: ‘Mund të jeni edhe pak më intime’. Unë vetëm mendoja: ‘Vërtet nuk mundem’”.
Cynthia Nixon kishte treguar në qershor të vitit 2025 për People se përfshirja e Rosie O’Donnell në serial ishte diskutuar prej vitesh. “Michael Patrick King, skenaristi ynë kryesor, përpiqej çdo sezon të shkruante një rol për Rosie-n, por rrethanat nuk përputheshin kurrë”, kishte thënë Nixon. “Prandaj, kur këtë herë më tregoi idenë, mendova se ishte fantastike.
Më lejoi t’i shkruaja vetë, t’i shpjegoja rolin dhe ta pyesja nëse mund t’ia dërgonim skenarin. Të gjithë shpresonim për më të mirën”, kujtoi ajo. Nixon ka folur me shumë vlerësim edhe për përfshirjen e O’Donnell në universin e “Sex and the City”. Ajo e përshkroi aktoren si “shumë qesharake në atë rol”, por në të njëjtën kohë “shumë të natyrshme dhe të vërtetë”.
“E dinim se do të ishte gazmore, por mendoj se nuk ishim të përgatitur për faktin se sa prekëse dhe jashtëzakonisht e sinqertë do të ishte, apo për emocionet që do të shfaqte kaq hapur”, shtoi Nixon. Edhe O’Donnell foli me shumë admirim për marrëdhënien e saj me Nixon. “Ajo është e jashtëzakonshme. Pikë. Fundi i historisë. Është një prej aktoreve më të mira që kemi.
Lufton kundër padrejtësisë kudo që e sheh dhe qëndron pas fjalëve të saj. E do fëmijët dhe bashkëshorten e saj. E admiroj jashtëzakonisht shumë”, përfundoi O’Donnell.
