Bashkimi Demokratik për Integrim, ka përkujtuar 25-vjetorin e krimeve të luftës në Luboten, ku me dhjetëra civilë shqiptarë humbën jetën më 12 gusht të vitit 2001, mes tyre edhe një fëmijë gjashtëvjeçar. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se plagët e historisë nuk mbyllen duke u harruar, por duke u kujtuar me dinjitet dhe duke mos lejuar përsëritjen e tragjedive të tilla.
“Plagët e historisë nuk mbyllen duke i harruar, por duke i kujtuar me dinjitet dhe duke mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten.Luboteni mbetet një nga plagët më të rënda të vitit 2001.
Më 12 gusht, 25 vjet më parë, dhjetë civilë shqiptarë, mes tyre edhe një fëmijë gjashtëvjeçar, u vranë mizorisht.Një çerek shekulli më vonë, kujtimi i tyre na obligon të mbrojmë me vendosmëri paqen, barazinë dhe dinjitetin kombëtar.Sot nderojmë viktimat e pafajshme të Lubotenit. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre!”, shkruan Ahmeti.
Në Luboten homazhe kanë bërë edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, së bashku me anëtarë të partisë. Ademi tha se 25 vjet pas ngjarjes, përkujtimi i viktimave duhet të shërbejë si mësim për të tashmen dhe brezat e ardhshëm. Sipas tij, paqja nuk është e vetëkuptueshme, ndërsa urrejtja, ndarjet dhe padrejtësia nuk duhet të lejohen të prodhojnë më tragjedi njerëzore.
BDI tha se kujtimi i viktimave mbetet obligim për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të barabartë dhe më të sigurt.
