Juventusi është gjithnjë e më optimist se do të arrijë ta finalizojë brenda kësaj jave transferimin e mbrojtësit të Bolognas dhe Kombëtares së Kolumbisë, Jhon Lucumi. “Bianconerët” kanë paraqitur një ofertë të re për Bolognan dhe tashmë negociatat mes dy klubeve kanë hyrë në një fazë të avancuar.
Sipas raportimeve, Juventusi është duke bërë presion për të arritur marrëveshjen përfundimtare sa i përket shumës së transferimit. Ndërkohë, marrëveshja personale mes klubit torinez dhe Lucumit tashmë është arritur.
Mbrojtësi kolumbian raportohet se ka dhënë dritën jeshile për një kontratë pesëvjeçare me Juventusin, duke e bërë vetëm marrëveshjen mes klubeve pengesën e fundit për kompletimin e transferimit. Lucumi, 28-vjeçar, është një nga lojtarët kryesorë të Bolognas dhe ka qenë një figurë e rëndësishme në repartin defensiv të klubit italian që prej transferimit nga Genk në vitin 2022.
Juventusi e sheh mbrojtësin kolumbian si një përforcim të rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes dhe synon që marrëveshja të mbyllet sa më shpejt, me objektiv që Lucumi të bëhet pjesë e skuadrës për sezonin e ri.
