Ekskluzive | Iku me Mercedes GT nga pika e kontrollit në Ferizaj –

0%

Një incident serioz mes një të riu dhe zyrtarëve policorë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Ferizaj, ku një tentativë e Policisë për ta ndaluar një Mercedes GT ka përfunduar me ndjekje, rezistencë gjatë arrestimit dhe kërcënime ndaj policëve, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Altin Qerimi , 24 vjeçar, i cili është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Kanosje ndaj personit zyrtar” dhe “Pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës”. Ngjarja ka nisur rreth orës , derisa zyrtarët policorë po mbanin një pikë kontrolli në rrugën “Brahim Ademi”.

Ata i kanë dhënë shenjë për ndalim një veture Mercedes GT, por drejtuesi dyshohet se vetëm ka ulur shpejtësinë dhe më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të Bifurkacionit. Njësia reaguese është vënë pas tij, duke i sinjalizuar vazhdimisht që të ndalej.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas informacioneve të rastit, arratisja është ndërprerë vetëm pasi një Range Rover me targa të huaja dhe një Golf që ndodheshin përpara nuk i kanë liruar rrugën, duke e detyruar drejtuesin e Mercedesit të ndalet. Por telashet dyshohet se kanë vazhduar edhe pas ndalimit. Qerimi dyshohet se ka refuzuar t’ua dorëzojë policëve dokumentet dhe nuk ka pranuar t’i nënshtrohet kontrollit.

Më pas ka nisur me ofendime dhe kërcënime ndaj tyre. Gjatë përpjekjes për arrestim, sipas raportit, ai ka bërë rezistencë aktive dhe ka tentuar ta godasë me grusht njërin prej policëve, çka ka bërë që zyrtarët të përdorin forcë për ta neutralizuar dhe arrestuar. Dy zyrtarët policorë kanë deklaruar se janë ndier të kërcënuar nga fjalët dhe sjellja e tij.

Sipas informacioneve të rastit, kërcënimet dyshohet se kanë vazhduar edhe brenda Stacionit Policor në Ferizaj. Gjatë intervistimit, Qerimi ka pranuar se nuk ishte ndalur në pikën e kontrollit dhe ishte larguar nga policët.

Ai po ashtu ka pranuar se pas ndalimit i kishte ofenduar dhe kërcënuar zyrtarët policorë, duke deklaruar se kishte qenë i nervozuar për shkak se e kishte vajzën të sëmurë. Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, Qerimi është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Viti për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com