Trent Alexander-Arnold është kritikuar ashpër për sjelljen e tij në rrjetet sociale, pas një momenti me një tifoz të Real Madridit.
Alexander-Arnold i dha fund lidhjes 21-vjeçare me Liverpool-in verën e kaluar dhe u përball me kritika nga një pjesë e madhe e tifozëve pas transferimit te Real Madrid si lojtar i lirë. 27-vjeçari u bë një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në historinë e Premierligës, duke regjistruar 85 kontribute në gola në 259 paraqitje.
Ai mban gjithashtu rekordin për më shumë asistime nga një mbrojtës në historinë e kampionatit anglez, me 64 asistime – katër më shumë se ish-shoku i skuadrës, Andy Robertson. Megjithatë, për fat të keq për të, mbrojtësi nuk ka arritur ta transferojë të njëjtën formë te “Los Blancos” që prej kalimit në Spanjë.
Sezonin e kaluar ai humbi 22 ndeshje për shkak të dëmtimeve dhe pati vështirësi për të prodhuar të njëjtin nivel paraqitjesh që e kishin bërë të vlerësohej aq shumë në “Anfield”. Sezoni i vështirë i Alexander-Arnold kulmoi me mosgrumbullimin e tij nga Thomas Tuchel për përfaqësuesen e Anglisë në Kupën e Botës, një tjetër goditje për vetëbesimin e tij.
Megjithatë, përpara sezonit 2026/27, ish-lojtari i Liverpool-it ka mundësinë të rilindë karrierën e tij në “Bernabéu” nën drejtimin e trajnerit të ri Jose Mourinho dhe po përpiqet të bindë gjatë fazës përgatitore.
Anglezi e nisi si mbrojtës i djathtë në barazimin 2-2 të Real Madridit në një miqësore ndaj Fiorentinës, ndërsa afrimi i ri Denzel Dumfries – i transferuar për t’i bërë konkurrencë Alexander-Arnold – u aktivizua në krahun e djathtë të sulmit. Në fitoren 2-1 ndaj Ferencvaros, ndërkohë, Alexander-Arnold u fut nga stoli në pjesën e dytë, duke zëvendësuar Dumfries.
Të dy pritet të luftojnë për një vend titullari në krahun e djathtë të mbrojtjes, kur “Los Blancos” të nisin sezonin e La Ligas ndaj Espanyol më 22 gusht. Alexander-Arnold ka treguar disa prej cilësive të tij gjatë ndeshjeve përgatitore, veçanërisht aftësinë për të ndikuar në lojë me pasimet e gjata dhe krosimet e tij.
Për këtë arsye, nga lojtari i lindur në Liverpool pritet një sezon dukshëm më i mirë. Por këtë herë ai ka tërhequr vëmendjen jo për atë që ka bërë në fushë, por për sjelljen e tij ndaj një tifozi. Alexander-Arnold u filmua teksa ndaloi makinën për të bërë fotografi me disa tifozë të Real Madridit dhe madje firmosi një fanellë.
