Tifozët e Al-Nassr janë në pritje të vendimit përfundimtar në lidhje me Cristiano Ronaldon dhe nëse kapiteni do të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Al-Fateh në javën e parë të Saudi Pro League, e planifikuar të zhvillohet më 15 gusht në “Al-Awwal Park”. Sipas gazetës saudite Al-Yaum, ylli portugez pritet të mbërrijë në Riad gjatë orëve të ardhshme.
Ronaldo ka përfituar nga një periudhë e zgjatur pushimi, e dhënë nga drejtuesit e klubit pas një sezoni të jashtëzakonshëm që përfundoi me titullin e kampionit, si dhe pas angazhimit të tij me Portugalinë në Kupën e Botës 2026. Ronaldo vazhdon të jetë njëra prej pikave kryesore të skuadrës së Al-Nassr.
Stafi teknik mbështetet te eksperienca e tij dhe aftësia për të shënuar në momentet vendimtare, veçanërisht në ndeshjet e rëndësishme. Sipas raportimit, trajneri i ri Ange Postecoglou do ta vlerësojë situatën e Ronaldos gjatë seancave të ardhshme stërvitore.
Australiani do të analizojë gjendjen fizike dhe teknike të sulmuesit përpara se të vendosë nëse ai do ta nisë nga minuta e parë kundër Al-Fateh. Tifozët e Al-Nassr janë të etur për ta parë Ronaldon që në ndeshjen hapëse të sezonit, por vendimi përfundimtar do të merret vetëm pasi Postecoglou ta ketë parë nga afër gjendjen e kapitenit.
Sezoni i ri mund ta jetë edhe kapitulli i fundit i Cristiano Ronaldos te Al-Nassr. Kapiteni i skuadrës saudite nuk pritet ta vazhdojë kontratën në përfundim të sezonit, në një vendim që lidhet me planet e klubit për t’i riorganizuar financat dhe për t’i ulur shpenzimet e pagave.
Nëse kjo situatë konfirmohet, Ronaldo do ta ketë vetëm edhe një sezon për ta shkruar fundin që dëshiron për aventurën e tij te Al-Nassr, një histori që ka nisur disa vite më parë dhe që e ka ndryshuar ndjeshëm futbollin saudit”.
