Nga: Frances Wilson / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Në vitin 1945, Kazimierz Moczarski, ish-oficer i Rezistencës Polake, u kap nga policia sekrete e Stalinit dhe u dënua, si armik i shtetit, me 11 vjet në burgun Mokotuv të Varshavës. Atje iu nënshtrua 49 llojeve të ndryshme të torturës, njëra prej të cilave ishte ndarja e një qelie – nga 2 marsi deri më – me dy nazistë.
Burri më i moshuar, i cili mbante pantallona burgu dhe nallane dhe të cilit i mungonin disa dhëmbë, ishte Gustav Schielke, një punonjës i rangut të ulët në arkivin e policisë së sigurisë.
Më i riu, i cili mbante një xhaketë të kuqe të errët, një shami të lidhur rreth qafës dhe çizme lëkure të lustruara deri në shkëlqim, ishte komandanti i njësive SS, Jürgen Stroop – një nga arkitektët e Holokaustit dhe likuiduesi i Getos së Varshavës i cili tani priste ekzekutimin.
Pasi dikur kishte provuar ta vriste Stroopin, Moczarski ishte i përcaktuar ta shfrytëzonte këtë mundësi për të nxjerrë prej tij sa më shumë informacione.
“Nëse jam me kriminelë lufte”, shkroi më vonë në Biseda me një xhelat [ Conversations with an Executioner ] – rrëfimin e tij për këto 255 ditë – “atëherë duhet t’i njoh, të përpiqem të zbërthej fijet e historive të jetës dhe personaliteteve të tyre”.
Synimi i Moczarskit ishte të zbulonte “se cili mekanizëm historik, psikologjik, sociologjik bëri që disa gjermanë të bashkoheshin në një bandë vrasësish masivë që sunduan Rajhun”. Rezultati është një rrëfim mahnitës për narcizmin e nazizmit.
Stroopi, të cilit asgjë nuk i pëlqente më shumë sesa tingulli i zërit të vet, doli të ishte burim i shkëlqyer për hulumtim dhe ato që Moczarski i quan “biseda” – të rrëfyera këtu kryesisht të plota – ishin më shumë monologë mburravecë.
I papenduar deri në fund, Stroopi fliste me entuziazëm të zjarrtë për dashurinë e tij ndaj pyjeve gjermane, gjinjtë e grave malësore “të pista dhe të egra” karpato-rumune, si dhe pronat në Ukrainë që do të kishte zotëruar po ta kishte fituar luftën: “Një shërbëtor do ta shtronte tryezën për darkë … Gjëmimi i largët i motorëve sovjetikë që pomponin ujë në arat me shalqinj”.
Hannah Arendt krijoi shprehjen “banaliteti i së keqes” për të përshkruar “fenomenin që shikonte drejt në sy” në gjyqin e Adolf Eichmannit në vitin 1961. Moczarski e kap këtë anë qesharake te Stroopi, i cili mbante monokël ndonëse shikimin e kishte të përsosur.
Duke i krahasuar privimet e tij në burg me privilegjet që lejoheshin në Dahau, ku “çdokujt i garantohej një furçë dhëmbësh, sapun, letër higjienike …”, ai nganjëherë ia jepte këngës; në rastet e tjera demonstronte se si kalërohej, duke u lëkundur para e prapa me këmbë të përkulura, “fillimisht në hap, pastaj në trok dhe në fund në galop.
Bërtiste, lëshonte tinguj, fshikullonte një kalë imagjinar dhe turfullonte e hingëllinte si kalë”. Kazimierz Moczarski, ish-oficer i Rezistencës Polake, rreth vitit 1956 Meqë në burg nuk i lejohej të mbante fletore, Moczarski fillimisht e hartoi në mendje librin Rrëfimet e një xhelati , duke përfytyruar secilën faqe teksa “shkruante” mbi të dhe duke shënuar mendërisht pjesët që duheshin rishikuar.
“E pash veten në një gjendje përqendrimi të jashtëzakonshëm – do të thosha madje fenomenal”, shpjegoi ai. Moczarski e quante librin që doli prej kësaj një “raport” (“zbukurimet letrare më duken të papërshtatshme”), por Biseda me një xhelat është më elegant dhe më i stilizuar se kaq.
I përbërë kryesisht prej dialogëve, lexohet si një dramë; por, po aq mirë, mund të shërbente edhe si biografi e Stroopit. “Biografi ideal duhet të ketë ngrënë bukë me subjektin e tij”, ka thënë Dr.
Samuel Johnsoni, dhe Moczarski hëngri më shumë se 600 vakte bashkë me shokun e tij të qelisë – megjithëse “bashkë” nuk është fjala e duhur, sepse Stroopit, në shenjë njohjeje të statusit të tij, i lejoheshin racione të dyfishta ushqimi.
Ai hante ngadalë, vëren Moczarski, dhe pastaj i lironte pantallonat, “duke i mbërthyer në njërin prej kopsave shtesë në bel që kishte qepur për një bark të ngopur ‘mesatar’ ose ‘të madh’”. Ja ku, me një të rënë të lapsit, e kemi njeriun: [biografi] Boswelli nuk do të mund ta kishte bërë më mirë.
Stroopi i fotografuar gjatë burgimit të tij në Dahau Tipari përcaktues i karakterit të Stroopit ishte respekti i tij për hierarkinë. Kjo përfshinte edhe rendin hierarkik brenda qelisë: Moczarski, këmbëngulte ai, duhej ta kishte shtratin e vetëm, sepse “ti je pjesëtar i kombit sundues këtu, kombit fitimtar, pra i racës së zotërinjve”.
Kredoja e tij ishte “besnikëri, besnikëri, besnikëri”, ndërsa kuptimi i thjeshtëzuar i botës që kishte përvetësuar në shkollën fillore ishte rafinuar nga propaganda: “francezët janë maskarenj dhe pa qytetari … Anarkistë dhe snobë … Gratë franceze janë përgjithësisht kurva”.
U deshën gjashtë muaj që Stroopi të ndihej mjaftueshëm i çlirët me Moczarskin për të ndarë kujtimet e tij për “Operacionin e Madh”, ose shkatërrimin e Getos së Varshavës, një zonë prej 3.3 kilometrash katrorë në qytet, që ndodhi midis 19 prillit dhe 16 majit 1943.
Pasi kishte kërkuar që 50 mijë hebrenjtë e mbetur në geto të deportoheshin në dhomat e gazit të Majdanekut dhe Treblinkës, Stroopi dhe ushtarët e tij u përballën me kryengritjen më të madhe të armatosur të hebrenjve kundër nazistëve gjatë luftës. I tronditur që këta hebrenj, si nënnjerëz, ishin luftëtarë kaq të egër, Stroopi urdhëroi djegien e getos, rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi.
Duke kujtuar se si familjet që hidheshin nga dritaret e shtëpive të tyre në flakë qëlloheshin nga pjesëtarët e SS-it, Stroopi imitonte marrjen në shenjë me një çifte të rosave në fluturim; pas një dite vrasjesh dhe deportimesh, tha ai, kthehej në shtëpi për një “darkë të këndshme”.
E vetmja herë kur Moczarski u detyrua ta ndërpriste “rapsodinë sublime” të Stroopit ishte kur ky përshkroi një nënë gjysmë të vetëdijshme që tërhiqej zvarrë nga rrënojat e shtëpisë ku foshnja e saj kishte mbetur pas. “Mjaft, hesht”, urdhëroi Moczarski. “Atë ditë nuk folëm më”.
Vetëm pasi u fal dhe u lirua në vitin 1956, Moczarski mundi ta çlironte mendjen nga barra dhe t’i hidhte dialogët në letër. Por, vërtetësia e materialit të tij shumë shpejt u vu në dyshim. Burgimi, argumentonte Moczarski, i kishte mundësuar ta stërviste kujtesën në një shkallë të jashtëzakonshme. Edhe aftësia e Stroopit për të kujtuar ishte po aq mbinjerëzore.
“Raporti im për likuidimin e Getos së Varshavës sikur është shtypur brenda mendjes sime”, i tha ai Moczarskit. “Thjesht mund ta shoh, faqe për faqe”. Kur Moczarski kontrolloi faktet që i kishte treguar Stroopi duke i krahasuar me provat në dosjet e tij të luftës, zbuloi se pothuajse nuk kishte gabime.
Asnjë botues në Poloninë komuniste nuk pranonte ta prekte librin Biseda me një xhelat , e cila përfundimisht u botua me vazhdime në revistën mujore Odra midis viteve 1972 dhe 1974. Dy vjet pasi Moczarski vdiq në vitin 1975, në moshën 68-vjeçare, libri i tij doli në një botim të censuruar; versioni i plotë dhe i pacensuruar nuk do të botohej deri në vitin 1992, kur u bë bestseller.
Tani, i përkthyer shkëlqyeshëm nga Sean Gasper Bye, ky botim i fundit e konfirmon “raportin” e Moczarskit si një kryevepër të letërsisë së shekullit XX.
