Barcelona dhe Manchester City do të zhvillojnë kontakte të reja për transferimin e Rodrit, por marrëveshja për mesfushorin spanjoll është më larg se sa është raportuar gjatë ditëve të fundit. Sipas “Mundo Deportivo”, pavarësisht marrëdhënieve të mira mes dy klubeve, një marrëveshje nuk pritet të arrihet menjëherë.
Barcelona e ka bërë tashmë ofertën e parë prej 50 milionë eurosh, por propozimi është refuzuar nga Manchester City. Në orët e ardhshme pritet një takim mes drejtorëve sportivë Deco dhe Hugo Viana, të cilët do të përpiqen ta gjejnë një marrëveshje për transferimin e Rodrit.
Megjithatë, City për momentin nuk dëshiron të zbresë nën shifrën e 70 milionë eurove për shitjen e mesfushorit, ndërsa Barça nuk është e gatshme ta arrijë këtë shumë. Kështu, aktualisht ekziston një diferencë prej rreth 20 milionë eurosh mes kërkesës së klubit anglez dhe ofertës së katalanasve.
“Blaugrana” do të përpiqen ta përshpejtojnë operacionin, pasi trajneri Hansi Flick dëshiron ta ketë sa më shpejt në dispozicion mesfushorin e kombëtares spanjolle në prag të sezonit të ri. Plani fillestar i klubit katalanas ishte që Rodri të ishte në Barcelonë që nga dita e mërkurë, kur pritet të rikthehen në stërvitje të gjithë futbollistët spanjollë që ishin pjesë e kombëtares.
Megjithatë, aktualisht nuk pritet që dy klubet të arrijnë marrëveshje brenda një kohe kaq të shkurtër. Për më tepër, Rodri, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas finales së Kupës së Botës, duhet t’ju nënshtrohet edhe kontrolleve mjekësore përpara se të përfundojë transferimi.
Barcelona mbetet e interesuar fuqishëm për mesfushorin, por për momentin marrëveshja me Cityn është ende larg.
