“Tuttosport” raportoi javën e kaluar se Jhon Lucumi kishte arritur marrëveshje personale me Juventusin, ndërsa tani duket se bardhezinjtë janë gati t’i ofrojnë Bolognas 20 milionë euro plus bonuse për mbrojtësin kolumbian.
Edhe eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka konfirmuar se Lucumi e ka Juventusin në krye të listës së dëshirave të tij dhe se tashmë ka dhënë dakordësinë për kontratën që do të firmoste në Torino. Raportohet se bëhet fjalë për një kontratë pesëvjeçare, me pagë rreth 2.5 milionë euro në sezon plus bonuse.
Kjo shifër është më e ulët se ajo që mund t’i ofrojë Nottingham Forest, i cili mund t’i garantojë rreth 1 milion euro më shumë neto në vit. Megjithatë, problemi nuk ka qenë kurrë dëshira e Lucumit për t’iu bashkuar Juventusit. Pengesa kryesore ka qenë gjithmonë marrëveshja mes dy klubeve për shumën e transferimit dhe kjo çështje ende nuk është zgjidhur.
Lucumi kishte një klauzolë lirimi prej 28 milionë eurosh, por ajo tashmë ka skaduar. Kontrata e tij me Bolognan është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, por klubi nuk është i gatshëm ta lejojë largimin e tij për më pak se 25 milionë euro.
Raportimet e fundit sugjerojnë se Juventus ka kuptuar se nuk mund të përfshijë lojtarë si pjesë të marrëveshjes dhe për këtë arsye është përgatitur të ofrojë 20 milionë euro menjëherë, plus bonuse që janë relativisht të lehta për t’u arritur.
Tani mbetet që Juventus dhe Bologna të gjejnë gjuhën e përbashkët për shumën përfundimtare, në mënyrë që Lucumi të mund të bëhet përforcimi i radhës i mbrojtjes së bardhezinjve.
