Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e vendosjes së dy flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan, ku njëri prej tyre kishte mbishkrimin “UÇK”, ndërsa tjetri ishte flamur i Shqipërisë. Rasti është raportuar në Stacionin Policor në Lipjan më 10 gusht, rreth orës , nga përgjegjësi/mbikëqyrësi i kishës.
Sipas Policisë, pas pranimit të informacionit, njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe kanë identifikuar e shoqëruar në stacion një person me inicialet D. M., nga Komuna e Lipjanit. Gjatë trajtimit nga Njësia e Hetimeve, sipas njoftimit zyrtar, është konstatuar se personi ishte nën ndikim të alkoolit, me 0.61 promilë.
“Si vazhdimësi e hetimeve policore, sot, më datën , është shoqëruar në stacionin policor edhe personi (E. M.), po ashtu nga Komuna e Lipjanit, ndaj të cilit kanë vazhduar procedurat e mëtejme policore” , thuhet në njoftim. Policia ka bërë të ditur se për rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe Departamentit të Përgjithshëm.
Me udhëzimin e tyre, rasti është dërguar me Shënim Zyrtar, në përputhje me procedurat ligjore. Në komunikatën për media, Policia e Kosovës ka theksuar se ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare, të cilat përdoren për planifikimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e incidenteve.
“Në kuadër të Strategjisë së Integruar të Policisë së Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policisë në Bashkësi, Policia e Kosovës ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare, të cilat shërbejnë për ofrimin e sigurisë ndaj tyre dhe për parandalimin e çfarëdo rasti apo incidenti të mundshëm.
Nga Policia e Kosovës sigurohen 24 objekte të trashëgimisë kulturore me prezencë policore 24/7, si dhe objekte të tjera ndaj të cilave ofrohet siguri përmes njësive policore patrulluese, sipas zonave të përgjegjësisë”, thuhet tutje në njoftim.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe objektet e trashëgimisë kulturore fetare, pa dallim.
