Shpërndaje në: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër shënjestrimin publik të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj KOHËS dhe Kallxo.com, në një status të publikuar në Facebook të hënën. “Gjuha e përdorur është e papranueshme dhe linçuese dhe ka për synim intimidimin e mediave dhe gazetarëve për të raportuar tema në interes të publikut.
AGK-ja e fton zotin Rama që të përgjigjet në mënyrë transparente dhe të hapur për çështjet dhe temat që trajtohen nga të gjitha mediat. Sulme të tilla, si ky, minojnë lirinë e medias në vend dhe kanë për synim dekurajimin e punës së gazetarëve për të mbajtur përgjegjës zyrtarët në pozita të larta shtetërore.
Ato gjithashtu u ofrojnë platformë publike qindra personave të tjerë për të sulmuar dhe denigruar online gazetarët dhe mediat, prandaj kjo formë e komunikimit duhet të ndalet”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Rama në një postim në Facebook, ka thënë se mesazhet në “snapchat” që janë dërguar nga një sinjalizues, e bazuar në të cilat kanë dorëzuar kallëzim në asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, “janë të pavërteta dhe të fabrikuara”. Ai ka folur edhe për lëndët e legalizimit. “E dyta, lëndët e legalizimit për të cilat paskeni shpif janë krejt aty!
Ju bëj ftesë publike, krejt grupit të asamblistëve të VV-së, merreni me vete edhe KALLXO.com e KOHA.net, me të cilët po ju bashkon tendenca për me e diskreditu shtetin, kapuni për dore dhe shkoni në Drejtorinë e Kadastrit dhe në Drejtorinë e Urbanizmit. Shfletojini krejt lëndët. Faqe për faqe! Pastaj dilni para të njëjtit opinion publik dhe kallxoni drejt”, shkroi Rama.
Dyshime për konflikt interesi janë ngritur për shefin e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për të cilin, në komunikimet e publikuara nga një sinjalizues, pretendohet se ka legalizuar jashtëligjshëm objekte ndërtimi me qëllim përfitimi për vete e të tjerët.
Më , Florent Maliqi, u emërua drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, ndërsa njëkohësisht edhe ushtrues detyre i drejtorit të Drejtorisë së Kadastrit.
