Të paktën pesë vajza nën moshën 14-vjeçare dyshohet se janë sulmuar seksualisht pas fluksit masiv të migrantëve nga Maroku drejt Ceutës, enklavës spanjolle në Afrikën Veriore. Euronews shkruan se burime mjekësore kanë konfirmuar se Spitali Universitar i Ceutës ka trajtuar gjatë javës së fundit disa raste të dyshuara për përdhunim.
Të gjitha vajzat dyshohet se kanë mbërritur në qytet gjatë fluksit të migrantëve. Mes viktimave të dyshuara besohet se është edhe një djalë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri real i rasteve mund të jetë më i lartë, pasi disa viktima ende nuk kanë bërë denoncim. Në total, në spital janë trajtuar më shumë se një duzinë rastesh që përputhen me sulme seksuale.
Policia Kombëtare ka nisur hetimet për rastin e një të miture, e cila dyshohet se është përdhunuar pasi kishte hyrë në Ceuta gjatë ardhjes masive të migrantëve. Ajo është dërguar në spital, ku janë konstatuar lëndime që përputhen me sulm seksual. Deri tani nuk është raportuar për arrestime, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat në të cilat dyshohet se kanë ndodhur sulmet.
Burime gjyqësore kanë bërë të ditur se disa tentativa për sulme seksuale janë parandaluar nga banorët lokalë, ndërsa ka edhe raste të tjera të dyshuara që nuk kanë përfunduar me sulm. “Vajzat 14-vjeçare po lihen në rrugë” Susana Ascaso, mjeke në urgjencën e Spitalit Universitar të Ceutës, ka konfirmuar se në spital po trajtohen raste të vajzave migrante që dyshohet se janë përdhunuar.
Sipas saj, bëhet fjalë për vajza nën 14-vjeçare që po qëndrojnë në rrugë, pasi qendrat e pritjes për të mitur nuk kanë më vende të lira. “ Nuk është se nuk duan t’i pranojnë, thjesht nuk ka më hapësirë për to ”, ka thënë Ascaso.
Mjekja e ka përshkruar situatën si një “katastrofë shëndetësore”, duke treguar se urgjenca po trajton mesatarisht 300 deri në 400 migrantë në ditë , me të njëjtin staf dhe burime që kishte para fluksit masiv të fundit të korrikut. Ajo ka kërkuar shtim të stafit dhe që Ceuta të konsiderohet zonë me nevoja të veçanta për mbulim shëndetësor.
Në një kamp të improvizuar në Sidi Embarek, ku janë të grumbulluar rreth 300 persona, banorët kanë raportuar gjithashtu raste të vajzave që dyshohet se kanë mbërritur në gjendje shoku pasi janë sulmuar seksualisht në zonat malore. Sipas tyre, shumë prej vajzave nuk i raportojnë sulmet për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.
Për këtë arsye, banorët kanë angazhuar një psikolog dhe një avokat për t’i mbështetur. Organizata Save the Children ka paralajmëruar ndërkohë për rrezikun e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual të vajzave dhe adoleshenteve migrante në Ceuta, veçanërisht për shkak të vështirësive në identifikimin, sistemimin dhe mbështetjen e tyre.
Jennifer Zuppiroli, eksperte e migracionit në organizatë, ka theksuar se një vajzë e mitur që është e vetme dhe jashtë sistemit të mbrojtjes së fëmijëve mund të jetë në një situatë jashtëzakonisht të cenueshme.
Policia Kombëtare ka bërë të ditur se në procesin e identifikimit po i jep përparësi vajzave dhe fëmijëve nën 13-vjeç, ndërsa ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Sira Rego, ka pranuar se profili i të miturve që po mbërrijnë në Ceuta ka ndryshuar, me rritje të numrit të vajzave dhe fëmijëve shumë të vegjël. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
