Një zjarr masiv që ka përfshirë sipërfaqe të mëdha toke në fshatin Koilac të Mallakastrës është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar banesat dhe banorët e zonës. Për shkak të situatës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për evakuimin e disa familjeve nga fshati Koilac, ndërsa në terren vijon operacioni për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Në vendngjarje janë angazhuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shërbimet zjarrfikëse, Forcat Kombëtare të Sigurisë, strukturat e emergjencave civile dhe strukturat e tjera përgjegjëse. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në drejtim të zonave të banuara.
Deri tani, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bimësi. Sipas Policisë, flakët po përhapen në drejtim të fshatrave Hekal, Panahor, Riban dhe Ngraçan. Shërbimet policore vijojnë të jenë të angazhuara në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe në bashkëpunim me strukturat e tjera po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të zjarrit, dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit, nëse rezulton se zjarri është shkaktuar nga veprime të kundërligjshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier u ka bërë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve bimore apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Policia ka ftuar qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm, të paanshëm dhe ruajtjen e anonimatit.
