Federico Valverde ka folur me superlativa për José Mourinhon, pas ditëve të para të punës me trajnerin e ri të Real Madridit. Kapiteni i madrilenëve pranoi se portugezi e ka befasuar me mënyrën e tij të sjelljes, duke e cilësuar shumë më të afërt nga sa e kishte imagjinuar. “Nuk e prisja që Mourinho të ishte kështu në këto ditë që kam kaluar me të. Është shumë i afërt.
Në fund të fundit, është një person që ka karakterin e tij. Ndonjëherë është i ashpër, por mendoj se kjo është mënyra që mund të të ndihmojë të përmirësohesh. Më pëlqen mënyra si na trajton dhe si më trajton mua ”, deklaroi Valverde pas ndeshjes në Budapest. Uruguaiani foli edhe për rolin e tij si kapiten i parë i Realit, duke theksuar se e përjeton me krenari dhe përgjegjësi të madhe.
“Është një rol që më pëlqen dhe që e mbaj me shumë nder e krenari. Kam mësuar shumë dhe vazhdoj të mësoj çdo ditë. Përpiqem të jap më të mirën time brenda dhe jashtë fushe, në mënyrë që të gjithë shokët e skuadrës të ndihen mirë”, tha ai. Valverde vlerësoi gjithashtu Bernardo Silvën, i cili debutoi me fanellën e Real Madridit. “Bernardo është një lojtar magjik.
Po e shijoj shumë praninë e tij. Është një person fantastik, shumë i mirë dhe është përshtatur menjëherë me ekipin. Është shumë gazmor dhe argëtues. Është një lojtar që e kam admiruar gjithmonë si kundërshtar dhe tani që e kam me ne, është një gëzim i madh”, u shpreh kapiteni.
Ndërkohë, i pyetur për vendimin e Rodrit për t’iu bashkuar Barcelonës, Valverde preferoi të mos komentonte: “Unë flas për veten time. Jam i fokusuar te klubi im dhe te shokët e skuadrës. Kam një përgjegjësi të madhe si kapiten dhe dua që çdo lojtar në dhomën e zhveshjes të jetë i lumtur, të ketë energji pozitive dhe të ndihet mirë”.
