Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas njoftimit të Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive për ditën e nesërme. Përmes një postimi në Facebook, LDK shpreh shqetësim për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas kësaj partie, një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional. LDK thotë se qëndrimi i këtij subjekti është i qartë që Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për moskonstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend.Qëndrimi i LDK-së ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë këtij procesi, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ky qëndrim është paraqitur në çdo takim konsultativ, përfshirë edhe takimin e zhvilluar sot nga Kryetari i LDK-së”, shkruhet në postimin e LDK-së.
