“Humba edhe gruan, edhe djalin. Ata po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi… humba gjithçka. E ndjeva se diçka nuk po shkonte mirë dhe i mora në telefon, por nuk mu përgjigjën” Me këto fjalë prekëse, bashkëshorti i 43-vjeçares dhe babai i 21-vjeçarit shqiptar përshkroi për mediat dhimbjen e madhe që po përjeton pas aksidentit tragjik rrugor të ndodhur të premten në mëngjes në rrugën provinciale Amfipoli–Drama, pranë zonës së Paleokomit në Serres.
Brenda pak çastesh, ai humbi bashkëshorten dhe djalin e tij, të cilët ishin nisur herët në mëngjes drejt vendit të punës. Sipas mediave greke, familja ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jetonte prej vitesh në Paleokomi. 43-vjeçarja dhe djali i saj 21-vjeçar punonin në të njëjtën kompani, me seli në plazhin e Ofrynit, dhe mëngjesin e së premtes po udhëtonin së bashku për në punë.
Ata udhëtonin me të njëjtin automjet, ku i riu ishte në timon, ndërsa nëna e tij ndodhej në sediljen e pasagjerit. Rreth orës , automjeti u përplas ballë për ballë me një kamion, përplasje që rezultoi fatale për të dy. Çfarë deklaron shoferi i kamionit? Shoferi 56-vjeçar i kamionit ka dhënë versionin e tij për momentet që paraprinë aksidentin fatal.
Duke folur për mediat greke, ai deklaroi se po lëvizte normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi rreth 75-80 km/orë, kur papritur pa automjetin me të cilin udhëtonin nëna dhe djali të humbiste kontrollin dhe të kalonte në korsinë e kundërt. “Po lëvizja normalisht në korsinë time me 75 deri në 80 kilometra në orë, aq sa lejohet në atë segment.
Papritur pashë një makinë që vinte drejt meje. Dukej se kishte humbur kontrollin në zbritje nga zona e Soulit të Vogël”, tha ai. Sipas 56-vjeçarit, ai u përpoq të shmangte përplasjen duke devijuar majtas, por nuk pati kohë të evitonte goditjen. “Makina kishte kaluar në korsinë time.
Pashë se shoferi po përpiqej të rikthente kontrollin e timonit, ndërsa unë u përpoqa të lëvizja majtas për ta shmangur, por nuk ia dola. Më përplasi dhe ndodhi tragjedia ”, shtoi ai. Shoferi i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës për të marrë ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje ndërhynë forca të policisë, dy automjete zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës, të cilat punuan për nxjerrjen e viktimave dhe menaxhimin e situatës. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta në të cilat ndodhi përplasja tragjike.
