Shpërndaje në: Instituti i Kosovës për Drejtësi tek ka vlerësuar se po bëhen disa shkelje kushtetuese me lëvizjet e fundit politike, ka kërkuar konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit, përfundimin e ushtrimit të pozitave ministrore nga deputetët dhe respektimin e kufijve kushtetues të ushtrimit të detyrës së presidentes.
Në një reagim pasi kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari e caktoi për të shtunën vazhdimin e saj, një ditë pas afatit kushtetues, IKD-ja ka thënë se institucionet s’mund të funksionojnë mbi bazën e interpretimeve politike apo mungesës së sanksioneve.
IKD-ja ka vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit sot, 30 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, përbën shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Afati tridhjetëditor ka filluar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve më 8 korrik.
Brenda këtij afati, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve. Seanca e 6 gushtit u ndërpre pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit. Mirëpo, zgjedhja e Presidentit është proces i veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit.
Në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Negociatat politike duhet të zhvillohen jashtë saj dhe nuk mund ta pezullojnë përmbushjen e një detyrimi kushtetues. Megjithëse afati është shkelur, Kushtetuta nuk përcakton shpërndarjen automatike të Kuvendit, përsëritjen e zgjedhjeve apo ndonjë pasojë të drejtpërdrejtë për kryesuesin e seancës.
Mungesa e sanksionit nuk e ligjëson shkeljen, por as nuk e pamundëson vazhdimin e procesit”, thuhet në reagim. IKD-ja ka thënë se deputetët megjithatë duhet ta përfundojnë nesër konstituimin pa vonesa të tjera.
Edhe Arbëri 30 gus 2025 Gjashtë runde votimi në dispozicion për ta konstituuar Kuvendin “Prandaj, deputetët e të gjitha partive duhet të marrin pjesë nesër në seancë, të votojnë për Kryetarin dhe nënkryetarët dhe ta përfundojnë konstituimin pa vonesa të tjera. Shkelja e afatit nuk duhet të përdoret si arsyetim për bojkot ose bllokadë të re.
Nëse deputetët konsiderojnë se ndërprerja e seancës dhe kalimi i afatit kanë cenuar Kushtetutën, çështja duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagim. IKD-ja e ka vlerësuar si problem serioz edhe ushtrimin e funksioneve ministrore nga deputetët e zgjedhur.
“Në Aktgjykimin P.A.nr.09/2025, Gjykata Supreme ka përcaktuar se, nga momenti i certifikimit të rezultateve, personi i zgjedhur konsiderohet deputet dhe nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht funksionin e ministrit. Ministrat në detyrë që janë zgjedhur deputetë është dashur t’i përfundonin funksionet ekzekutive para certifikimit të rezultateve.
Kjo nuk ka ndodhur as para certifikimit dhe as para dhënies së betimit më 6 gusht. Vazhdimi i ushtrimit të dy funksioneve të papajtueshme është në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës, me ndarjen e pushteteve dhe me standardin e vendosur nga Gjykata Supreme”, thuhet në reagim.
Ndërkaq si çështje më urgjente është cilësuar statusi i kryetares së Kuvendit të legjislaturës së shkuar, Albulena Haxhiu, që nga 4 prilli është edhe ushtruese e detyrës së presidentes për shkak të funksionit si kryeparlamentare. Sipas IKD-së, me thirrjen e seancës konstituive ka përfunduar mandati i Haxhiut dhe se tani vendi ndodhet në “problem serioz institucional”.
Edhe Arbëri 29 gus 2025 Në aktin e fundit të konstituimit rekomandohet votimi në pako “Nga praktika, mandati i Kryetarit të legjislaturës së mëparshme vazhdon vetëm deri në seancën konstituive. Me thirrjen dhe fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së re, ka përfunduar mandati i Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit.
Me përfundimin e këtij mandati ka pushuar edhe baza kushtetuese mbi të cilën ajo e ushtronte detyrën e Presidentes. Kushtetuta ia njeh këtë kompetencë Kryetarit të Kuvendit dhe jo ish-kryetarit të tij. Kryesuesi i seancës konstituive nuk është Kryetar i Kuvendit dhe nuk mund ta marrë automatikisht ushtrimin e detyrës së Presidentit.
Derisa Kuvendi nuk e zgjedh Kryetarin e ri, vendi ndodhet në një problem serioz institucional. Pavarësisht këtij përfundimi, edhe sikur të pretendohej se UD e Presidentes, Albulena Haxhiu mund të vazhdonte ta ushtronte detyrën, neni 90 i Kushtetutës e kufizon këtë periudhë në jo më shumë se gjashtë muaj.
Rrjedhimisht, ajo në asnjë rrethanë nuk mund ta ushtrojë këtë funksion pas 5 tetorit 2026”, thuhet në reagim. IKD-ja ka vlerësuar se çfarëdo vendimi që mund të ndërmerret nga Haxhiu si u.d. e presidentes, mund të bëhet objekt i vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.
