Lëvizja VETËVENDOSJE! ka publikuar fjalimin e plotë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të mbajtur në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Në fjalën e tij, Kryeministri trajtoi procesin e konstituimit të institucioneve, takimet me subjektet politike dhe nevojën për bashkëpunim në funksion të stabilitetit institucional dhe vazhdimit të proceseve demokratike, transmeton “Bota sot”. “Menjëherë pas certifikimit të rezultateve ne filluam takimet për konstituimin e institucioneve.
E falënderoj kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën për takimin, e falënderoj kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun për takimet. Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK edhe me AAK, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë.
Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan, pasi në prill nuk u zgjodh presidenti. Ne duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot.
Konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme, të panevojshme për qytetarët e të dëmshme për ekonominë ”, tha Kryeministri Albin Kurti.
