Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se secila pozitë është e rëndësishme, ndonëse nuk janë të njëjta nga përgjegjësia. Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Kurti iu përgjigj LDK-së të cilët e kanë refuzuar postin e kryetarit të Kuvendit, duke iu thënë se vitin e kaluar kryeparlamentari ishte shumë i rëndësishëm.
LDK tha se kryetari i kuvendit është post ceremonial, Kurti: Vitin e kaluar ishte shumë i rëndësishëm “Besoj që secila pozitë është e rëndësishme, ndonëse nuk janë të njëjta nga përgjegjësia, ato janë të rëndësishëm dhe të vlefshme. Në vitin 2025, muaj të tërë jemi vonuar për zgjedhjen e kryetares së kuvendit dhe e mbani mend se si Albulena Haxhiu, 57 vota merrte që ishte e pamjaftueshme.
Vitin e kaluar, kryeparlamentari ishte shumë i rëndësishëm. Nuk mendoj që pozitat institucionale varen më shumë nga viti apo stina e vitit sesa nga ajo çka shkruan në Kushtetutë apo ligj”, tha Kurti.
Tutje, ai u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë koncesion të madh vitin e kaluar, duke e tërhequr Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun nga kandidatura për president, teksa shtoi se tash, LDK-ja ka kërkuar që të diskutohen të gjitha.
Kurti insistoi se duhet dhënë shans diskutimeve për president, figurë kjo që sipas tij, duhet të jetë konsensuale, me karakter të mirënjohur, me vlera e kontribute për shoqërinë.
Kurti: Ne e kemi bërë koncesionin e madh, le t’i evitojmë zgjedhjet e reja “VV-ja, në pranverë këtë vit e ka bërë një koncesion të madh, e ka tërhequr Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun nga kandidatura për president…
Ne e kemi bërë koncesionin e madh, LDK-ja ka kërkuar prej neve që t’i diskutojmë që të gjitha, prandaj që t’i evitojmë zgjedhjet e reja duhet t’i japim shans diskutimeve politike për marrëveshje politike, për president apo presidente, figurë konsensuale me karakter të mirënjohur, me vlera e kontribute për shoqërinë, profesionin përkatës dhe Kosovën tonë të dashur”, tha Kurti.
