Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media në Kuvend, pas shtyrjes së seancës konstituive të Kuvendit. Kurti ka deklaruar se posti i presidentit të vendit nuk duhet të jetë i lidhur me asnjë parti politike, duke theksuar se për zgjedhjen e një presidenti ose presidenteje duhet të ketë marrëveshje dhe konsensus politik.
“Presidenti ose Presidentja nuk i takon ndonjë partie. Nëse do t’i takonte ndonjë partie atëherë duhet parë numrat. LVV i ka 53, tri partitë tjera opozitare bashkë 47, apo 6 më pak se ne”, ka thënë Kurti, transmeton “Bota sot”.
Ai ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një hap drejt arritjes së një marrëveshjeje politike, duke tërhequr kandidaturën e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit. “Ne kemi bërë koncesionin e madh dhe kemi tërhequr Glauk Konjufcën. Për një marrëveshje politike duhen mirëkuptim, kompromis dhe koncesione nga të gjithë”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, për çështjet që lidhen me sovranitetin, integritetin territorial, sigurinë dhe Republikën e Kosovës nuk mund të ketë kompromise, por palët duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët për çështjet politike.
“Mes nesh duhet të gjejmë dakordim për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për t’i dhënë Kosovës një president ose presidente konsensuale, me integritet, vlera dhe kontribut për vendin” , ka deklaruar Kurti.
